Gjykimi për vrasjen në pazar të Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Propozimi për ekspertizë të re - Përplasje e kundërshtime mes prokurorit dhe avokatit të të akuzuarit

Propozimi i një ekspertize të re në institutin e IPFK-së për të akuzuarin shkaktoi përplasje e kundërshtime në mes prokurorit të çështjes, Genc Nixha dhe Mahmut Halimit, avokat i të akuzuarit Shefki Asllani.

Një mosmarrëveshje që lindi pas një bisede rreth rritjes ose jo të fikut në Kosovë po dyshohet se u bë shkak i një konflikti mes dy personave, me ç’rast shitësi 27-vjeçar, Valmir Fazliu, mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u plagosën.

Ngjarja tragjike sipas aktakuzës ka ndodhur në tregun e Mitrovicës më 17 prill 2021.

Në këtë rast, Shefki Asllani nga Prokuroria po akuzohet për veprën penale – vrasje e rëndë.

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën e Prizrenit, prokurori Genc Nixha, propozoi një ekspertizë të re për rastin, pavarësisht ekspertizës së bërë më parë në Gjykatën e Mitrovicës.

Prokuroria argumentoi se nuk pajtohet dhe nuk e mbështet ekspertizën e bërë nga një prokuror tjetër pasi ka konsideruar se në atë që është cekur në ekspertizë nuk qëndrojnë pretendimet e konstatuara.

“Unë e përfaqësojë këtë lënda tani në këtë moment dhe si të dua e përfaqësoj. Ju lutem, kjo lëndë është deleguar tani në Prizren”- tha Nixha.

Me këtë nuk u pajtua aspak Mahmut Halimit, mbrojtës i të akuzuarit i cili kërkoi sqarime nga prokurori.

“Zonja gjyqtare, ju kërkojë ndjesë shumë, por unë nuk kam të qartë diçka këtu dhe kam të drejtë që të kërkojë nga ju por sidomos nga përfaqësuesi i akuzës sqarime. Unë e dëgjova me vëmendje elaborimin e Prokurorisë dhe në këto momente jam jashtëzakonisht  i tronditur nga sjellja dhe akuza që prokurori i lëndës ia bën Prokurorisë së Mitrovicës… Le ta sqaron prokurori fazën juridike, ne nuk po punojnë me qef këtu kujt t’i teket…”- deklaroi avokati Halimi.

Prokurori Genc Nixha ka mbetur pranë këtij propozimi duke konsideruar si një të drejtë.

“Jo, kjo nuk lejohet, unë nuk thash asgjë. Unë deklarova se nuk pajtohem. Unë e përfaqësojë këtë lëndë, tani në këtë moment, unë e përfaqësojë këtë lëndë, dhe si të dua e përfaqësojë jo ai prokurori atje. Ju lutem, lënda më është deleguar mua…”- ka cituar Nixha.

Propozimin për një ekspertizë të re psikiatrike për gjendjen e shëndetit mendor të të akuzuarit e kanë përkrahur edhe përfaqësuesit e të dëmtuarve Abit Asllani dhe Shpëtim Mehmeti.

Avokati Abit Asllani, përfaqësues  i të dëmtuarit Lutfi Fazliu ka argumentuar se ekspertiza e bërë në Gjykatën e Mitrovicës është bërë nga ekspertë të cilët nuk posedojnë specializime.

“Ne e kemi kontestuar këtë raport edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor të mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës, konkretisht asnjëri nga këta ekspert nuk posedon subspecializim nga Psikiatria e Forenzikës e që duhet ta posedojnë këtë lloj specializimi të ngushtë”- ka thënë mes tjerash mbrojtësi Asllani.

Të njëjtin pretendim e mbështeti edhe Shpëtim Mehmeti, përfaqësues i palës së dëmtuar Agim Fazliu.

Pas kësaj, avokati Mahmut Halimi, ka kërkuar që fillimisht të dëgjohet eksperti Bujar Obertinca i cili ishte dëgjuar në Gjykatën e Mitrovicës dhe anëtarët e komisionit të ekspertizës, Dr. Valbone Blakaj Ramadani dhe Dr. Ajet Bunjaku.

Gjykatësja e çështjes, Raima Elezi aprovoi propozimin e avokatit Halimi që të ftohen ekspertët.

Paraprakisht në këtë seancë është bërë edhe leximi i provave. Në lidhje me propozimin e Prokurorisë për ekspertizë të re Gjykata do të vendosë më vonë.

Gjykimi i radhës u caktua për më 6 dhe 7 dhjetor 2023.

Prokuroria e Mitrovicës më 28 tetor 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit për veprën penale – vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta Valmir Fazliun.

Në aktakuzë thuhet se pas një fjalosjeje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vjen deri te konflikti fizik, ku së pari Valmir Fazliu e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi dhe e qëllon viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, si pasojë e të cilave vdes.

Si pasojë e të shtënave nga i pandehuri, janë plagosur edhe Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit, Agim Abdullahu.

Ndryshe çështja është transferuar në Gjykatën e Prizrenit nga Gjykata e Mitrovicës pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.