Ilustrim

Pronari i një portali paditet për dëmtim imazhi të aeroportit me lajmin e publikuar se ishte 'cenuar siguria në aeroport'

Visar Halili, menaxher i kontrollit të ngarkesave në Aeroportin e Prishtinës ka paditur pronarin e portalit “AEROKOS”, Arlind Imerin, për një shkrim që ky portal kishte publikuar në vitin 2021.

Halili po pretendon se në këtë shkrim është publikuar informacion konfidencial i klasifikuar i Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, e i është dëmtuar imazhi e reputacioni.

Në Gjykatën e Fushë Kosovës, të martën u mbajt seanca përgatitore për këtë padi, me gjyqtare të rastit Qendresa Beqiri- Murati.

Sipas përfaqësuesit të paditësit, avokatit Arian Prebreza, i padituri kishte dëmtuar imazhin e klientit të tij i cili në kohën e shkatimit të dëmit të pretenduar, ka qenë Menaxher i Kontrollit të Ngarkesave në Aeroportin e Prishtinës.

Sipas padisë së ushtruar në mars të këtij viti, ky shkrim i kontestuar ka dëmtuar imazhin e paditësit, por edhe të Aeroportit duke e cilësuar edhe vet tiutllin e frikshëm “Cenohet Siguria Kombëtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari”.

Sipas këtij shkrimi, në kohën e grevës që kishte pasur aeroporti në gusht të vitit 2019, Veton Halili kishte ngarkuar valixhe të cilat nuk kishin kaluar kontrollin e sigurisë, e për këtë ky portal kishte bashkangjitur edhe dokumente të Divizonit për Sigurinë e Aviacionit Civil.

Këtë dokument, mbrojtja e paditësit po e konsideron informacion konfidencial të klasifikuar.

“Me dëshmitë e paraqitura në publikim, s’tregojnë asgjë tjetër pos dëmtimit të reputacionit, tendencë për denigrim të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës dhe nuk i ka ndihmuar asgjë shoqërisë, shtetit, apo publikut në përgjithësi me publikimin e këtij informacioni të klasifikuar”- përshkruhet në padi.

“Në rrjete sociale, i padituri me vetëdije ka shkruar dhe publikuar informacione të klasifikuara që nuk do të duhej të publikoheshin meqë ai (i padituri) nuk ka kualifikimin as si gazetar, as ekspert i sigurisë”- u shpreh avokati Prebreza në seancë.

Në anën tjetër, avokatja mbrojtëse e Arlind Imerit, Besjana Ismajli në seancë theksoi se padia nuk është e ushtruar në cilësinë e përfaqësuesit të punëdhësit, aeroportit, dhe në rastin më të mirë ajo tha se do të duhej si palë e dëmtuar të paraqitej punëdhënësi.

“… në artikull është përmendur emri i punëdhënësit, kjo nuk do të thotë se duke u përmendur emri i punëdhënësit i është shkaktuar dëm punëmarrësve”- u shpreh avotja Ismaili.

Sipas avokates, paditësi nuk e kishte legjitimitetin aktiv në këtë çështje.

Vlera totale e dëmit të shkaktuar, e përshkruar në padi është 5 mijë euro.

Të dy palët bën propozime për dëshmitarë e prova që përfshijnë raporte, të cilat u pranuan nga gjykata dhe do të administrohen në seancën e shqyrtimit kryesor.