Pronarët e lokaleve flasin pas rihapjes

Pas lehtësimit të masave ndaj COVID-19, janë rihapur lokalet e gastronomisë. Qytetarët filluan të frekuentojnë vendet e tyre të preferuara me familje e shoqëri, pothuajse gjithçka tashmë po i ngjason jetës ‘normale’ sikurse para virusit.

Mungesa e makiatos po përmbushet. Që nga sot gastronomia e Kosovës ka filluar punën, pas dy muaj e gjysmë anulim, për shkak të përhapjes së coronavirusit në vend.

Faza e tretë e lehtësimit të masave të Qeverisë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik kanë filluar të zbatohet që nga sot, dhe shumë vendet të cilat kanë qëndruar të mbyllura muajve të fundit sot kanë rifilluar punën.

Për ‘fillimin e ri’ flasin e pronarët e lokaleve të ndryshme në Prishtinë.

Pronari i restorantit “Pishat”, në kryeqytet, Veton Hamza, thotë se në këtë kohë pandemie e ka ndjerë mungesën e rutinës që ka qenë më herët.

“Na kanë mungu gjithçka që ka të bëjë me këtë mënyrë të jetës, përveç punës me çka merremi na ka mungu gjithçka tjetër nga rutina para pandemisë”, u shpreh ai për KALLXO.com.

Me hapjen e restorantit të tij pronari shprehet se ka qenë i frikësuar se mos ndoshta qytetarët do të hezitojnë të frekuentojnë vendet me njerëz, por ai shtoi se klientela është shprehur shumë entuziaste.

“Në fillim kemi pas frikë se njerëzit kanë me nguru me i frekuentu lokalet, por që sot dita e para që kemi fillu me rregullat e reja të fazës së tretë, po vrehet që njerëzit janë shumë të entuziamuar për me dal dhe me i frekuentu vendet e tyre të preferuara”, tha Hamza.

Ndërsa, sa i përket pastërtisë pronari potencoi se i gjithë lokali është pastruar dhe dezinfektuar si dhe janë duke e respektuar masën për mbajtjen e distancës.

Tutje, menaxheri i lokalit ‘Louiecaffe’,  Muhamet Gjata, tregon se hapjen e lokalit e kanë pritur shumë mirë, dhe se qytetarët po shprehen të kënaqur.

“Qytetarët janë më të socializuar, më falenderues, dhe më të sjellshëm, jemi shumë të kënaqur”, tregoi Gjata, për KALLXO.com.

“E kemi pritur shumë mirë, me një farë forme u rikthy jeta, edhe pritjet e klientëve janë shumë më të mira edhe normal. Na ka mungu shumë, po si krejt çka me bo”, pohoi ai.

Hapjen e kafeneve e ka mirëpritur edhe Ilir Gashi, i cili është pjesë e stafit të lokalit ‘Serai’, në kryeqytet.
Ai thotë se qytetarët e kanë pritur shumë mirë, dhe se po vërehet malli i qytetarëve për të dalë.

“Qytetarët janë duke e pritur shumë mirë, se vërehet njëfarë lloj malli nga ana e qytetarëve për me dal në kafiqa me pi kafe edhe me kalu kohën qysh janë mësu edhe zakonisht para pandemisë”, u shpreh Gashi, për KALLXO.com.

Tutje, ai thotë se do të ishte mirë nëse Qeveria do i përkrahte deri në fund të këtij viti, në mënyrë që të rimkëmbet ekonomia.

“Për me pas një fillim sa më të mbarë dhe rimkëmbja me qenë sa më e mirë, kish me qenë mirë ndoshta që edhe qeveria me na mbështet deri ka fundit i këtij viti”, tregoi ai.

Edhe pse nuk i frekuenton shumë kafenetë, Burim Berisha, banor i Prishtiës, shprehet se është i lumtur me faktin që ka filluar të normalizohet jeta.

Ai thotë se gjatë kësaj kohe e ka vërejtur që restorantet e kafenet i kanë munguar për shkak të takimeve për punë që është dashur të kryhen në zyre e jo si zakonisht që i ka kryer në kafene.

“Sa i përket karantinës dhe izolimit dy mujor e gjysmë, nuk ka qenë që ka ndiku shumë tek unë, sepse nuk jam frekuentues i madh i kafiterive por çka më ka mungu më së shumti është se në shumicën e punëve gjatë orarit i kam kry nëpër restorante takimet, tash këto dy muj e gjysmë që kanë qenë kafet e restorantet e mbyllura shumica e takimeve po duhet me i kry në zyre, qaty e kam vrejtë mungesën e restoranteve”, tha Berisha, për KALLXO.com

Më 13 mars 2020 është paraqitur rasti i parë me COVID-19 në Kosovë, në mënyrë që mos të përhapet virusi, Qeveria e Kosovës pati vendosur që i gjithë vendi të futet në karantinë, kështu duke krijuar masa lehtësuese në vazhdimsi.