Kamenica - ARKIV

Prokuroria ushtron ankesë pasi Gjykata vendosi që të dyshuarve për keqpërdorim me tenderin në Kamenicë t’u caktohet masa më e lehtë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ushtruar ankesë për vendimin e Gjykatës në Gjilan që të caktoj masën e paraqitjes në stacion policor për katër të dyshuar në lidhje me tenderin 35 mijë euro në Komunën e Kamenicës.

KALLXO.com ditë më parë raportoi se tre anëtarë të një komisioni në Komunën e Kamenicës dhe pronarI i një kompanie janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim me prokurim publik.

Tre anëtarët e komisionit dyshohet se kishin nënshkruar pranimin e mallit nga kompania e kontraktuar për disa dollap të shkollave.

Në fakt kompania në fjalë vetëm kishte marrë paratë dhe asnjëherë nuk kishte dërguar mallin për të cilin kishte paguar komuna shumën prej më shumë se 35 mijë eurove.

Për të gjitha këto veprime, Prokuroria Themelore në Gjilan kishte kërkuar paraburgimin e të dyshuarve që janë të involvuar në këtë rast.

Gjykata në Gjilan ka vendosur që të dyshuarve të u caktoj masën më të lehtë, atë të paraqitjes në stacion policor.

Në vendimin të cilin ka siguruar KALLXO.com të gjykatës në Gjilan, thuhet edhe se kjo gjykatë ka urdhëruar që të dyshuarve të u konfiskohen edhe dokumentet e udhëtimit.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar se janë ankuar ndaj vendimit të gjykatës.

“Gjykata Themelore në Gjilan e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan për caktimin e masës së paraburgimit dhe të pandehurve iu ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor. Prokuroria Themelore në Gjilan, ka paraqitur ankesë kundër këtij vendimi”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjilanit.

Sipas vendimit të gjykatës që ka siguruar KALLXO.com, thuhet se mbrojtësit e të pandehurve kanë kundërshtuar masën e paraburgimit.

Tutje mbrojtësi i pronarit të kompanisë kishte përmendur edhe faktin se klienti i tij e kishte porositur mallin në Kinë dhe se për shkak të pandemisë nuk është arritur që të përmbushet detyrimi i tij ndaj komunës.

”Tani ka porositur mallin dhe porsa të vij i njëjti në kompani, do të ia dorëzoj komunës së Kamenicës pasi që malli i kontraktuar është porositur në një firmë të Kinës dhe për shkak të pandemisë me përmasa botërore si rrethanë e jashtëzakonshme nuk është përmbushur kontrata, mirëpo porsa ta pranoj mallin e paguar, do ta dorëzoj menjëherë te kontraktuesi përkatës”, ka thënë mbrojtësi i pronarit të kompanisë nga Fushë Kosova.

Avokatët e tjerë të anëtarëve të komisionit kanë thënë se klientët e tyre janë shtyrë nga përgjegjësit e tyre që të nënshkruajnë dokumentet e pranimit të mallit, pa e pranuar në fakt atë.

“Ata nuk janë punëtorë të Zyrës së Prokurimit, si komision janë shtyrë nga përgjegjësit e tyre që të nënshkruajnë procesverbalin për pranimin e mallit në mënyrë fiktive me arsyetimin e tyre se malli do të vjen së shpejti”, thuhet në vendimin e gjykatës për deklaratën e avokatëve të të dyshuarve.

Vendimi i gjykatës në fund pas seancës për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarit, ka vendosur që ndaj të njëjtëve të shqiptoj masën e paraqitjes në polici.

KALLXO.com ka raportuar në lidhje me rastin e arrestimit të zyrtarëve të komunës së Kamenicës dhe pronarin e kompanisë.

Pas arrestimit ka reaguar edhe ish- Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati.

Kastrati tha se stafi i Komunës ka rënë viktimë nga ana e kompanisë e cila nuk e kishte bërë furnizimin me dollapë duke u thirrur në çrregullimet e tregut të furnizimeve si pasojë e pandemisë.

“Ky është një gabim procedural nga zyrtarët e arrestuar por i cili u bë me qëllimin e vetëm — të mirën publike. Ata vet e kanë denoncuar rastin. Unë u kam besuar plotësisht dhe vazhdoj t’u besoj. Një vepër penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare kryhet vetëm me dashje të përfitimit a pasurimit personal. Në rastin konkret, dashja e vetme e zyrtarëve të komunës ishte që mjetet të mos përfundojnë si suficit, por të shfrytëzohen për shkollat e Kamenicës”, ka shkruar ai.