Shpend Maxhuni - Foto: KALLXO.com

Prokuroria Speciale ‘amniston’ Shpend Maxhunin në rastin e ‘Gylenistëve’

Që nga 29 marsi i vitit të kaluar familjarët e gjashtë shtetasve turq dhe opinioni në Kosovë, e më gjerë nuk kanë asnjë informacion se nga kush erdhi urdhri për deportimin e tyre nga autoritet kosovare drejt Turqisë.

Deputetët dhe komisioni parlamentar i krijuar për të zbardhur rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, kishin vënë sytë kah Prokuroria të cilët prisnin të merreshin me rastin.

Ata madje kishin edhe një raport i cili ishte bërë nga një ekspert dhe i cili kishte konstatuar 31 shkelje në planin 17 ditor të deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Ishte vetë kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, që kishte thënë se për deportimin e shtetasve turq kishte marrë vesh nga Ambasada amerikane.

Pas deportimit të shtetasve turq, në institucionet e Kosovës pati shkarkime nga pozitat, ngritje të kallëzimeve penale, por asnjëherë asnjë institucion nuk mori përgjegjësi për deportimin.

KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Prokurorisë Speciale të dijë nëse tani më ish- drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës po hetohet nga po e njëjta prokurori për rastin e ‘gylenistëve’.

Të njëjtit në një përgjigje ka thënë se nuk ka ndonjë aktvendim për nisje të hetimeve ndaj Shpend Maxhunit.

“Ju njoftoj se në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), nuk ka aktvendim për fillim të hetimeve kundër personit në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale.

Deportimi i gjashtë shtetasve turq u përcoll me shkarkimin e Drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës, të Ministrisë së Punëve të Brendshme por jo edhe atij të Policisë së Kosovës.

Shpend Maxhuni, dha dorëheqje vet nga pozita e shefit të Policisë, por nuk mbeti ‘duarbosh’. Ai menjëherë ishte bërë drejtor i njërit prej institucioneve më të larta të Kosovës, asaj të AKI-së.

Kuvendi i Kosovës, kishte themeluar një komision parlamentar hetimor i cili do të zbardhte deportimin e gjashtë shtetasve turq.

Intervistimi i zyrtarëve të disa institucioneve të cilat patën ndikim në depërtim ishte maratonik.

Një nga të intervistuarit ishte edhe tashmë ish-drejtori i AKI-së dhe ish-Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.

I njëjti vazhdimisht kishte kërkuar që intervistat e tij të mbaheshin me dyer të mbyllura shkaku i dokumenteve konfidenciale të cilat pretendonte se do të i paraqiste para komisionit.

Gjatë ditës së djeshme kryeministri Haradinaj njoftoi se Shpend Maxhuni ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij, ndërsa sot ka thënë se arsyet e dorëheqjes janë personale e shëndetësore.

Shkëlqimi dhe rënia e Shpend Maxhunit

Ekskluzive: IPK bën kallëzim penal ndaj 22 policëve për deportimin e ‘gylenistëve’

Lumezi: Për rastin e gylenistëve u njoftova nga Ambasada amerikane

Deputetët sytë kah prokuroria e gishtin kah Presidenti për deportimin e gylenistëve

.