Seanca gjyqësore për 'Gylenistët', 5 maj 2022 - Foto: KALLXO.com

Dy dëshmitarë thonë se nuk kanë qenë në dijeni për deportimin nga Kosova të gjashtë shtetasve turq

Gjykimi në rastin e njohur si “Gylenistët”, ka vazhduar të enjten me deklarimet e dy dëshmitarëve.

Dëshmitari Lulzim Ejupi, i cili gjatë kohës së rastit ishte drejtor i Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në kuadër të Arkivave, si dhe Shkëlzen Sopjani i cili ishte Inspektor i Përgjithshëm në AKI, kanë mohuar të kenë qenë në dijeni në lidhje me dëbimin nga Kosova të gjashtë shtetasve turq në vitin 2018.

Në bankën e të akuzuarit ende ulet ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi.

Bashkë me Gashin akuzohen edhe ish-drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) Valon Krasniqi, si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.

Gashi, Krasniqi dhe Sylejmani po akuzohen nga Prokuroria Speciale për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Republika e Kosovës në mënyrë të kundërligjshme.

Dëshmitari Lulzim Ejupi ish-drejtor i Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme në kuadër të Arkivave, tha se nuk ka qenë në dijeni për këtë rast.

“Nuk kam qenë asnjëherë i njoftuar. Nuk më kujtohet data, por jemi takuar në zyrën e ministrit e na ka tregu. Unë dhe drejtori për shtetësi, azil dhe migracion Valon Krasniqi kemi qenë në takim. Ministri na ka njoftu se ka ardhë një shkresë nga AKI, ku pastaj e kemi marrë vesh që shkresa ka të bëjë me Departamentin për të Huaj”, tha Ejupi.

Dëshmitari deklaroi se shkresën nuk e kishte parë apo lexuar vetëm se ishte njoftuar nga takimi i lartcekur se shkresa kishte të bënte me shtetas të huaj.

Sipas tij, arsyeja e dëbimit të qytetarëve turq ishte për shkak të revokimit të leje-qëndrimit.

“Arsyeja pse shtetasit turq janë dëbuar është për shkak të revokimit të leje-qëndrimit, e kjo se e ka vlerësuar një institucion ashtu” tha Ejupi.

Kurse, dëshmitari tjetër Shkëlzen Sopjani i cili gjatë rastit ishte Inspektor i Përgjitshëm në AKI tha se për dëbimin e shtetasve turq kishte dëgjuar përmes mediave.

Sopjani tregoi se pasi kishte kuptuar për dëbimin e tyre, kishte filluar një raport inspektimi.

“Të nesërmen kemi filluar një raport inspektimi-hetimi për rastin në fjalë, ku kam angazhuar edhe dy departamentet e inspektimit”, tha Sopjani.

Sopjani tha se kërkesa për fillimin e këtij raporti kishte ardhur nga Zyra e Kryeministrit të atëhershëm Ramush Haradinaj për sqarim të rrethanave të dëbimit të qytetarëve turq.

“Sa i përket raportit dhe në bazë të shkresave të dosjes ne kemi ardhur në përfundim se nuk ka pasur shkelje të ligjit të AKI-së apo tejkalim të mandatit nga AKI përkundër që kanë qenë disa rekomandime kryesisht të natyrës nëse mundem me thënë organizative, por që të njëjtat nuk kanë përmbajtur shkelje të ligjit të AKI-së” tha dëshmitari.

Sopjani deklaroi se me mbledhjen e fakteve ka rezultuar se nga burime të ndryshme të informacioneve personat në fjalë kanë qenë subjekt për shkak të rrezikimit të sigurisë kombëtare.

Mirëpo, ai potencoi se informatat dhe të dhënat e atij raportit janë të klasifikuara, të nivelit sekret dhe se nuk mund të zbulohen në asnjë rrethanë.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 10 maj 2022.

Akuzat ndaj tyre kanë të bëjnë me deportimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi.

Në mëngjesin e 29 marsit 2018, Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.

Vetëm pasi që Hasan Hysein Gunakan u deportua në Turqi, u kuptua se kishte ndodhur një gabim dhe se i njëjti ishte deportuar gabimisht në vend të Hasan Hysein Demir.

Ndonëse i deportuar gabimisht, më 28 janar të vitit 2020, sipas raportimeve të mediave turke, Gunakan u dënua me mbi 8 vite burgim nga Gjykata në Stamboll.

Prokuroria pretendon se të pandehurit Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe i pandehuri Rrahman Sylejmani dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjashtë shtetasit turq janë të akuzuar për lidhje e tyre me Fetullah Gylen, njeriun për të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grusht shtetit të dështuar të vitit 2016.

Arsyetimi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), në lidhje me dëbimin e gjashtë shtetasve turq ishte se ata paraqesin “rrezik për sigurinë kombëtare”.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin e “gylenistëve”.

Kosova ‘përballë drejtësisë’ për deportimin e gjashtë shtetasve turq