Xhelal Sveçla - Foto: Facebook

Sveçla: Po kursehen urdhërdhënësit për deportimin e ‘gylenistëve’

Kryetari i Komisionit Hetimor në lidhje me zbardhjen e dëbimit të shtetasve turq, Xhelal Sveçla ka reaguar pas publikimit të lajmit nga KALLXO.com se Inspektorati Policor i Kosovës ka ngritur kallëzim penal ndaj 22 policëve të përfshirë në rastin e arrestimit dhe dëbimit të jashtëligjshëm të gjashtë shtetasve turq më 29 mars të vitit të kaluar.

Sveçla ka thënë se është dëshpëruese që akterët më të dobët të vihen para ligjit, duke amnistuar përgjegjësit kryesor.

“Sa është mirë që veçse kanë filluar procedurat për t’i vënë para drejtësisë përgjegjësit për shkeljet e shumta të ligjit, është jashtëzakonisht dëshpëruese dhe e papranueshme që akterët më të dobët të vihen para ligjit duke anashkaluar e amnistuar të fortit që janë përgjegjësit kryesorë, si Hashim Thaçi dhe dy drejtorët, ai i AKI-së dhe Policisë”, ka shkruar Sveçla.

“Po sikur në rastin e parë kur ndaj të dobëtit establishmenti vepronte me forcë, tash po përsëritet e njëjta qasje, ndiqen zbatuesit dhe kursehen urdhërdhënësit, të cilët edhe kanë tentuar të përfitojnë nga ky veprim”, ka shkruar tutje Sveçla.

Ai ka shtuar se pa u ndëshkuar “Hashimi me njerëzit e tij, është qyqarllëk të goditen policët që veç kanë zbatuar urdhrat e tij, e po ashtu as nuk pritet që ai të sillet me integritet e të marr përgjegjësit që i takojnë”.

Sveçla ju ka bërë thirrje 22 zyrtarëve policor që mos të mbrojnë urdhërdhënësit, dhe ka bërë apel tek të gjithë zyrtarëve shtetëror që mos të zbatojnë urdhra të jashtëligjshëm që vijnë nga kushdo, duke përfshirë “Presidenti i skaduar apo cilido kapës i shtetit”.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmon pranimin e kallëzimit penal nga IPK.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar kallëzim penal nga IPK-ja ndaj 22 të pandehurve, ndërsa jemi duke intervistuar edhe të pandehurit  të tjerë në lidhje me ketë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës për KALLXO.com.

Kallëzimi penal i paraprin aktvendimit për fillim të hetimeve.

Në bazë të kallëzimit penal, Prokuroria obligohet të ndërmarre veprime në bazë të të cilave vendosë për nxjerrje të aktvendimit për fillim të hetimeve ose hedhjen poshtë të tij.

KALLXO.com, nga burimet e saj mëson se në mesin e personave ndaj të cilëve është parashtruar kallëzim penal si të pandehur është edhe Rrahman Sylejmani, Drejtor i Departamentit të Kufirit në Policinë e Kosovës.

Po ashtu, sipas burimeve të KALLXO.com, janë autorizuar veprime para hetimore edhe për nënkolonelin Shaban Guda.

Ky kallëzim paraqet hapin më të madh të institucioneve të Kosovës deri më tani në zbardhjen e zhvillimeve që çuan në deportimin e 6 shtetasve turq nga Kosova.

Të dy këta, janë në mesin e dhjetëra personave të intervistuar edhe nga Komisioni Hetimor i formuar në Kuvendin e Kosovës në lidhje me zbardhjen e dëbimit të shtetasve turq nga Kosova.

KALLXO.com mëson se në lidhje me personat e përfshirë në kallëzim penal ende nuk ka aktvendim për fillim të hetimeve, por është duke u mbledhur informacion.

Mëngjesin e 29 marsit të vitit të kaluar 6 shtetas turq ishin ndaluar gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me AKI-në dhe brenda ditës ishin deportuar për në Republikën e Turqisë.

Ky operacion shkaktoi një reagim të gjerë në Kosovë dhe hasi në një kundërshtim të fuqishëm. Si rrjedhojë, nga detyra u liruan Ministri i Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi.

Kuvendi i Kosovës më pas themeloi një komision hetimor ku i intervistuan dhjetëra persona në mesin e tyre edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish drejtori i Policisë së Kosovës, tani shef i AKI-së, Shpend Maxhuni, e shumë persona të tjerë.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me këtë rast ka hartuar një raport ku ka konstatuar dhjetra shkelje.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit, ka nxjerrë një raport ku ka konstatuar shkeljen e të drejtave të njeriut.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me këtë rast, ndërsa edhe emisioni “Drejtësia në Kosovës”, i ka kushtuar një emision këtij rasti duke hedhur dritë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në këtë rast.

KALLXO.com ka publikuar sot edhe reagimin e Rrahman Sylejmani, Drejtor i Departamentit të Kufirit në Policinë e Kosovës, i cili ka thënë se nuk është i njoftuar se ndaj tij është ngritur kallëzim penal.

“Nuk kam informacione, nuk më kanë informuar në mënyrë zyrtare për kallëzim penal”, ka thënë Sylejmani.

Sylejmani ka bërë të ditur se para disa muajve është intervistuar në lidhje me këtë rast.

“Jam intervistuar, nga ata të cilët janë kompetent, kam dhënë edhe deklaratë në parlament, nuk ka qenë sekret kjo. Jam intervistuar para dy tre muajve, por për hapat tjerë nuk jam informuar se çfarë është ndërmarrë”, ka thënë Sylejmani.