Projekti i Komunës së Suharekës për ujërat e zeza ia lë tokën të djerrë Sylejaman Bujarit nga fshati Duhël

Sylejaman Bujari, nga fshati Duhël i Komunës së Suharekës, tash e sa kohë po ballafaqohet me problemin e ujërave të zeza. Ujërat e zeza të fshatit, Bujari thotë se po derdhen në pronën e tij prej 5 hektarëve duke ia pamundësuar atij të punojë tokën.

“Problemi im është që të gjitha ujërat e zeza të komplet fshatit derdhen në pronën time, (ujërat e zeza) të fshatit Duhël, të Komunës së Therandës. Ku përfshinë një sipërfaqe prej 5 hektarësh. Nuk muj me punu prej aromës, prej ujërave të zeza. S`mund i punojë as pemët as livadhet e as kurrgjë, prej ujërave, krejt komplet derdhen aty”, thotë Bujari për KALLXO.com.

Bujari tregon se ka qenë disa herë në komunë, mirëpo komuna nuk ka ndërmarrë asgjë, atëherë ai thotë se është detyruar me thirr në KALLXO.com.

 

Ai kërkon nga komuna të bëjnë një zgjidhje, ndërkohë propozon që rrjedhja e kanalizimi të largohet jashtë pronës së tij.

Sipas tij, në këtë sipërfaqe ai mbjellë, grurë, ka pemë, livadhe dhe merret me blegtori.

Sylejaman Bujari, pronari i tokës

Në anën tjetër, nga Komuna e Suharekës për KALLXO.com, thuhet se qytetari është ankuar me vonesë.

“Qytetari është ankuar në Komunë dhe ka kërkuar t`i zgjidhet ky problem që pa dashje i është bërë, mirëpo ankesa e tij është bërë shumë vonë, pasi ka përfunduar projekti dhe pasi janë kryer të gjitha punët”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Tutje në përgjigje thuhet se “…ne si Komunë në këtë rast e kemi bërë një gabim pasi kemi menduar se kjo është pronë publike dhe jo private, sikurse z. Bujari të ishte lajmëruar me kohë kjo nuk do të ndodhte”.

Reshat Reshitaj, nga Zyra për media e Komunës së Suharekës thotë se së shpejti do të ndërmerren masa për zgjidhjen e problemit.

“Komuna ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka parë që është punuar në dëm të qytetarit të lartpërmendur. Shumë shpejtë do të ndërmerren masa për eliminimin e këtij problemi dhe do të zgjidhet problemi”, thotë Reshitaj.