Foto: Ilustrim

Prizren, paraburgim për tre biznesmenët lidhur me një tender

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditësh ndaj tre të dyshuarve për veprat penale “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “falsifikimi i dokumenteve”.

Sipas një komunikate për media, Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj G. P., S. S., dhe B. S., ka gjetur se në rastin konkret ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, dhe ky dyshim i bazuar mbështetet në provat e mbledhura deri në këtë fazë të procedurës.

“Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve duke marrë parasysh faktin se hetimet janë në fazën fillestare dhe do të merren edhe veprime tjera hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit në fjalë, do të merren në pyetje të pandehurit po ashtu edhe dëshmitarët tjerë, prandaj po të lihen në liri të pandehurit ka arsye për të besuar se të njëjtit do të mundohen në ndonjë mënyrë apo formë të caktuar ti ndryshojnë provat e veprën penale, duke ndikuar në dëshmitarët e rastit, andaj në këto rrethana nëse të pandehurit luhen në liri mund të pengohet zhvillimi  normal i procedurës penale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

KALLXO.com ka raportuar më 16 prill 2021 se pronarët e kompanive  “NABS” sh.p.k. dhe “CONS ENG” sh.p.k., përkatësisht të dyshuarit me iniciale G. P., S. S. dhe B. S. janë arrestuar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Prokuroria Themelore në Prizren atë ditë ka njoftuar se  disa ditë më parë Rrejti i Organizatave Joqeveritare “AVONET” ka publikuar një deklaratë për media rreth procesit të aktivitetit të prokurimit “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, numër  të prokurimit 622-20-2058-2-1-1, me titull “Komuna e Prizrenit i ka dhënë operatorit ekonomik kontratën në vlerë prej 1,394,853.90 Euro me dokumente fiktive (jo reale)”, ku ata pretendonin se fatura e datë 01.05.2020 me nr. 1052020, e cila faturë ka plotësuar kriterin e kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, e njëjta është e dyshimtë pasi që nuk është deklaruar si shitje nga ana e biznesit  “CONS ENG” sh.p.k. si dhe nuk është e regjistruar si blerje nga ana e biznesit “NABS” sh.p.k.

Në një emision në “Drejtësia në Kosovë” ishte transmetuar vitin e kaluar një tender i Komunës së Prizrenit ku e kontraktuar ishte edhe kompania “NABS” sh.p.k.

Në këtë emision ishin trajtuar edhe çmimet e ulëseve, shtyllave ndriçuese, të cilat Komuna e Prizrenit i kishte blerë ndërsa ishte vërejtur se shumica e ulëseve e edhe e shtyllave elektrike ishin blerë me shumë çmim të lartë.