Arrestohen tre biznesmenë lidhur me një tender në Prizren

Pronarët e kompanive  “NABS” sh.p.k. dhe “CONS ENG” sh.p.k., përkatësisht të dyshuarit me iniciale G. P., S. S. dhe B. S. janë arrestuar gjatë ditës së sotme për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Prokuroria Themelore në Prizren gjatë ditës së sotme ka njoftuar se  disa ditë më parë Rrejti i Organizatave Joqeveritare “AVONET” ka publikuar një deklaratë për media rreth procesit të aktivitetit të prokurimit “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”, numër  të prokurimit 622-20-2058-2-1-1, me titull “Komuna e Prizrenit i ka dhënë operatorit ekonomik kontratën në vlerë prej 1,394,853.90 Euro me dokumente fiktive (jo reale)”, ku ata pretendonin se fatura e datë 01.05.2020 me nr. 1052020, e cila faturë ka plotësuar kriterin e kërkuar nga ana e Autoritetit Kontraktues, e njëjta është e dyshimtë pasi që nuk është deklaruar si shitje nga ana e biznesit  “CONS ENG” sh.p.k. si dhe nuk është e regjistruar si blerje nga ana e biznesit “NABS” sh.p.k.

Pas publikimit të kësaj deklarate, Prokurori i Shtetit, sipas detyrës zyrtare, ka ndërmarrë veprime hetimore për grumbullimin e informacioneve duke siguruar dosjen e tenderit dhe pas intervistimit të të dyshuarve, të njëjtit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.

Në një emision në “Drejtësia në Kosovë” ishte transmetuar vitin e kaluar një tender i Komunës së Prizrenit ku e kontraktuar ishte edhe kompania “NABS” sh.p.k.

Në këtë emision ishin trajtuar edhe çmimet e ulëseve, shtyllave ndriçuese, të cilat Komuna e Prizrenit i kishte blerë ndërsa ishte vërejtur se shumica e ulëseve e edhe e shtyllave elektrike ishin blerë me shumë çmim të lartë.