Staf spitalor duke u kujdesur për pacientë të COVID-19 në spitalin e sëmundjeve infektive në Tiranë. Foto: LSA

Prizren, nga sot fillon kryerja e testeve rapide për COVID-19

Në Prizren nga sot do të fillojë kryerja e testeve rapide për virusin COVID-19.

Sipas drejtorit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Xhevat Elezkurtaj, këto teste do të kryhen falas për qytetarët e komunës së Prizrenit, por që paraprakisht duhet të bëjnë termin.

Tutje ai ka treguar se këto teste do të kryhen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare që gjendet në afërsi të Stacionit të Autobusëve, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Bajram Curri, ndërsa sipas tij do të jetë edhe një aparaturë mobile për rastet urgjente që do të kenë nevojë.

Këto lloje të testeve ende nuk kanë filluar të kryhen në asnjë komunë dhe Prizreni do të jetë komuna e parë që do të ofrojë këtë shërbim për qytetarët e saj.

“QKMF-Prizren për herë të parë në nivel Republike në KPSH nga data 22.12.2020 do të filloje me  teste rapide SARS CoV2 Ag FIA Rapid Test(Fluorescence immunochromatog raphic test) për detektimin e antigjenit specifik SARS CoV 2. Testi realizohet me strisho nasopharingeale, rezultati merret për 10 min”, ka thënë Elezkurtaj.

Komuna e Prizrenit për qytetarët me COVID-19 dhe ata që dyshojnë për këtë virus është duke ofruar teste serologjike dhe analizën D-dimer.