Përfundon Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, diskutimet kryesore të pjesëmarrësve

Forumi ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë mbylli edicionin e tij të parë të dielën në Prishtinë.

Për dy ditë me radhë mbi 400 pjesëmarrës nga 33 vende të botës diskutuan në temën bosht “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”.

Mbi 26 panele në 4 salla të ndryshme treguan për rëndësinë e fuqizimit të grave, në tryeza të diskutimeve e veçanërisht në vendimmarrje.

Mbylljen e punimeve e bëri Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës ka thënë se për barazi gjinore duhet të punojmë në edukimin e vajzave dhe djemve.

“Ajo çfarë duhet të bëjmë është sesi t’i edukojmë vajzat dhe djemtë tonë. Na takon që të punojmë se bashku jo vetëm gratë por edhe me burrat për të parë sesi po i edukojmë fëmijët tani për ti bërë këto ndryshime”- tha ajo.

Bogujevci tha që gratë kanë luftuar dhe duhet të vazhdojnë të luftojnë për barazinë e tyre, sepse ky është një borxh për gjeneratat e ardhshme.

“Ne jemi ato që e kemi zërin për të dhënë se çfarë na duhet në vendin tonë në shoqëri, ne duhet të jemi në front që të sigurohemi se çfarë lëmë për gjeneratat e ardhshme që është ai aspekt se në shoqëri gratë kanë trajtimin e barabartë në një garë të barabartë. Kjo është ajo çfarë ja kemi borxh gjeneratave të së ardhmes, jo vetëm vajzave, por edhe djemve”, shtoi ajo.

Hapjen e punimeve të ditës së dytë, e bëri ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e cila nuk la pa përmendur edhe në ditën e dytë kontributin e ish-sekretares amerikane, Maedeline Albright.

“Shembulli i saj tregoi se arritjet e mëdha nga gratë nuk janë privilegj, por për to duhet të punohet. Ajo ishte e ndryshme dhe mund ta bënte ndryshimin, kjo është pse jemi në Prishtinë, gratë duan dhe mund ta bëjnë ndryshimin. Ajo kishte kurajën ta tregoj realitetin ashtu siç është, dhe jo ta injoroj, ashtu siç bëhet nganjëherë në politikë” – ka thënë Gërvalla para të pranishmëve.

Gërvalla po ashtu bëri thirrje për fuqizim të rolit të gruas në proceset vendimmarrëse.

“Në kohë krizash aftësitë e grave janë shumë të nevojshme, gratë do të luajnë rol më të madh për sigurinë dhe paqen, le t’i bashkojmë forcat në pushtet për gratë dhe paqen”- tha ajo.

Kolinda Grabar Kitarovic, ish-presidente e Kroacisë përmes një video0mesazhi tha që gratë duhet të jenë të pranishme edhe në ushtri, por edhe në ekipe negociuese për zgjidhje të konflikteve.

“Gratë janë agjendë të ndryshimit, është provuar që nesër gratë janë pjesë negociatore zgjidhjet kanë sukses. Ne kemi mungesë të vullnetit dhe aksionit, ne duhet të punojmë me NATO që të kemi më shumë gra paqeruajtëse, por duhet t’i shohim gratë edhe si delegacione që zgjidhin probleme nëpër gjithë botën”- ka thënë ajo.

Panel Diskutimi FOTO: KALLXO.com

Paneli i parë i ditës së fundit, diskutoi për drejtësinë tranzicionale me theks të veçant drejtësinë e vonuar për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari, ka thënë se në Kosovë ende nuk ka statistika reale për numrin e rasteve të dhunës seksuale në Kosovë.

Hajdari në fjalën e saj në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka thënë se misionet ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK dhe EULEX kanë bërë shumë pak për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale.

“Ajo që e vështirësoi punën tonë ishte fakti që pas luftës neve prokurorëve vendor nuk na është lejuar që ti ndjekim këto vepra penale, kjo punë ju është besuar UNMIK e pastaj EULEX, kanë bërë shumë pak, përkundër mundësive që i kishin. Janë rreth 900 lënde që kanë mbetur dhe 2000 dosje për të zhdukurit, kjo ishte një barrë e paparë në prokurorinë e Kosovës në situatë ku nuk kishim mjaftueshëm prokuror”- theksoi ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se shtetndërtimi i Kosovës nuk do të ishte i mundur pa angazhimin e grave.

“Kosova në dekadat e fundit ka kaluar nëpër procese shumë të rëndësishme, të cilat kanë qenë vendimtare në funksionin e saj si shtet, ato nuk do të ishin të mundshme pa angazhimin e përkushtimit të grave. Gjatë luftës gratë u bënë subjekt i dhunës seksuale dhe krimeve të kryera ndaj tyre, përkundër të gjitha vështirësive që kanë kaluar gratë, ato të Kosovës, na kanë dëshmuar sesa të forta janë”- tha ajo.

Haxhiu, tha se iniciativat në Ministrinë e Drejtësisë, sidomos në adresimin e krimeve të luftës 60 për qind të anëtarëve të grupeve punuese janë gra.

“Kontributi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm dhe sigurisht i jam falënderuese që na kanë ofruar pikëpamje të ndryshme se si duhet të adresohen çështjet që lidhen me krimet e luftës”, theksoi ajo.

Yevheniia Kravchuk, deputete në parlamentin e Ukrainës, ka thënë se menjëherë pas fillimit të konfliktit kanë filluar mbështetjen dhe dokumentimin e rasteve të dhunës seksuale.

“Ne kemi 20 për qind të grave në parlamentit të Ukrainës, që janë shumë aktive, kemi fillu me mbledh dëshmi shumë herët që nga fillimi i konfliktit, policia jonë ka krijuar njësi speciale që janë angazhuar për rastet e dhunës seksuale dhe pajtohem se gratë nuk duhet me qenë vetëm në tavolina duke diskutu por duhet me qenë edhe vendimmarrëse” – tha Kravchuk.

Emily Kenney, eksperte e politikave, sundimit të ligjit dhe drejtësisë tranzicionale në UN Wwoman ka listuar disa arsye përse është i nevojshëm përfaqësimi i grave në vendimmarrje.

“Pjesëmarrja e grave është e rëndësishme sepse është e drejtë themelore, e dyta kur gratë marrin pjesë i sfidojmë strukturat diskriminuese politike, kur gratë marrin pjesë e shohim se gratë janë agjente të ndryshimit, kur krijojmë përfshire të madhe të grave shohim edhe pjesëmarrje të grupeve të tjera të shoqërisë. Më shumë barazi gjinore do të thotë më shumë paqe dhe prosperitet për të gjithë”- tha Kenney.

Delphine Borione, ambasadore për të drejtat e njeriut në Francë tha që vendet duhet të jenë të pakompromis në dënimin e rasteve të dhunës seksuale.

“Dhuna seksuale shpesh përdoret si armë e luftës për të terrorizuar popullatën, kjo lloj dhune shkatërron gjenerata. Viktimat e dhunës seksuale nuk trajtohen si duhet, mirëpo ne duhet të jemi të pakompromis ndaj dënimeve për këto raste”- tha Borione.

Përderisa kërkohej drejtësia viktimat e dhunës seksuale, në një sallë tjetër të këtij forumi, Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Cramon përmendi rastin e grave të Krushës, të cilat ndonëse me shumë dhimbje nga lufta, kanë arritur shumë sukses me punën e tyre.

“Kam qenë në Krushe, jam habit, është storie suksesi. Kur e pash që ndërmarrësia e grave e bënë një ndryshim për të gjithë, ato mund ta transformojnë fshatin dhe vendbanimin. Për këtë duhet të investojmë në këtë aspekt, mbështetjen dhe në edukimin e vajzave”- ka thënë tutje ajo.

Panel Diskutimi, FOTO: KALLXO.com

Në panelin e fundit të punimeve të këtij forumi, ulëset i zunë gratë me gradat më të lartë në ushtri. Ato bënë thirrje për gratë që t’i bashkohen ushtrive dhe të japin kontributet e tyre, pavarishtë sfidave që ka ky profesion.

Zëvendësshefja e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral-major Manushaqe Shehu tregoi për përvojën e saj 31-vjeçare në uniformë.

“Kam 31 vite në shërbim të forcave të armatosura, gjatë karrierës time kam shërbyer në shumë detyra edhe jashtë Shqipërisë. 2007 kam qenë në Irak isha e para grua në mision paqëruajtës dhe më besoni nuk ka qenë e lehtë”- tha ajo.

Shehu bëri thirrje që “të punojmë shumë dhe të kemi integritet, kjo ju mundëson sukses në karrierë dhe në familje”.

Arta Bilalli Zendeli, kryesuese e delegacionit të Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, tha që Kosova e meriton të jetë anëtarë e plotë e aleancës veri-atlantike.

“NATO në Kosovë dhe Kosova në NATO kjo do të ishte shumë e mirë”, tha ajo.

Inspektorja e Përgjithshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneralmajor Irfete Spahiu, tha që në FSK nuk ka kuota pozitive për gratë.

“FSK është një forcë multienike, profesionale dhe e armatosur, është forcë e ndërtuar sipas standardeve të NATO-s. Që nga viti 2009, gjinia femërore ka pasur prezencë standarde në strukturën e FSK-së, sot është pjesëmarrja e grave është 11.3 nga numri i përgjithshëm në FSK. Kontributi i grave në ushtri nuk është kuotë që duhet përmbushur por shihet si vlerë për forcën tonë”- shtoi ajo.

Dje forumi ka mbajtur ditën e parë, në të cilën janë nderuar me medalje presidenciale të meritave gratë e Ukrainës.

Po ashtu në ditën e parë të tij, për të pranishmit është transmetuar një dokumentar në nderim të ish- sekretares së shtetit amerikan Medeline Albright.

Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që  është mbajtur dje dhe sot, këtë vit ka pasur edicionin e parë të tij, ky forum synon të bëhet tradicional.

Forumi ka grumbulluar 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës.