rruga B, Prishtinë

Prishtinë - Nuk respektuan masat anti-COVID, sulmojnë zyrtarin policor

Një zyrtar policor ka mbetur i lënduar pasi është sulmuar nga dy persona në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur në rrugën B të premten mbrëma, mes orës 22:15 dhe 22:56.

Krejt kjo ngjarje ndodhi pasi Policia dhe inspektorët sanitar dolën në një restorant, pasi në të nuk respektoheshin masat kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

“Pas pranimit të informatës për mos respektimi të vendimit të qeverisë për respektimin e masave anti Covid 19 njësitë policore së bashku me inspektorët sanitarë kanë dalë në atë lokacion ku brenda në restorant kanë hasur një numër të konsiderueshëm të qytetarëve”, thuhet në raportin policor.

Sipas PK-së, dy të dyshuarit kanë sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët policor i cili më pas ka pranuar tretman mjekësor.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe pas intervistimit në konsultim me prokurorin e shtetit janë liruar në procedurë të rregullt.