Foto: KALLXO.com

Prishtinë, i dënuari sulmon drejtorin për Siguri dhe Operativë të burgjeve

Një i burgosur ka sulmuar fizikisht drejtorin për Siguri dhe Operativë të Drejtorisë Qendrore të Shërbimit Korrektues.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 13:10 në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se i dënuari kishte sulmuar drejtorin pas refuzimit të transferit të tij.

“Pasi ishte kryer intervistimi i të dënuarit dhe  njoftimi zyrtar për refuzim të kërkesës së tij për transfer, i dënuari B.M., fillimisht ka fyer dhe kërcënuar, më pas edhe e ka sulmuar fizikisht,  më ç’rast i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore drejtorit për Siguri dhe Operativë”, tha Florent Gashi, zëdhënës i ShKK-së.

Ai shtoi se reagimi i stafit ka qenë i menjëhershëm dhe gjendja është vënë nën kontroll.

I burgosuri B.M. është veçuar ndërsa rasti është paraqitur në Policinë e Kosovës, e cila ka ardhur shpejt në vendngjarje dhe ka kryer të gjitha hetimet e nevojshme.