Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryetari i Tetovës Bilall Kasami. Foto: Zyra e Presidentes
Presidentja Vjosa Osmani nderohet me "Çelësin e Qytetit" të Tetovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderur me “Çelësin e Qytetit” të Tetovës.
Ky çmim, sipas Presidencës së Kosovës, është ndarë për herë të parë nga Komuna e Tetovës.
Ky çmim i është dhënë presidentes në ditën e dytë të vizitës së saj zyrtare në Maqedoni të Veriut, ku ka vizituar Komunën e Tetovës dhe është pritur në takim nga kryetari i kësaj komune, Bilall Kasami.
“E nderuar që vizitën në Tetovë ta filloj me Çelësin e Qytetit nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami, një simbol i përkushtimit tonë të çdoditshëm për të qëndruar pranë bashkëkombasve tanë” – citohet të ketë thënë presidentja Osmani.
Tutje në njoftim është thënë se presidentja ka vlerësuar rolin historik të Tetovës për shqiptarët gjithandej dhe se ka falënderuar tetovarët që gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999, kanë hapur zemrat dhe dyert e tyre për t`i strehuar refugjatët kosovarë të dëbuar me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
Po ashtu është njoftuar se në takim, ndër të tjera, është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit me komunat kosovare në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve nga të dy shtetet.