Presidentja takohet me ministrin Vitia: Do të sigurohen vaksinat për qytetarët

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për t’u koordinuar për çështjen e sigurimit të vaksinave kundër COVID-19.

Osmani ka deklaruar se në koordinim të vazhdueshëm me shtetet mike nga të cilët kanë kërkuar mbështetje, do të sigurohen vaksinat për qytetarët.

“Nuk ka prioritet më të rëndësishëm se sa shëndeti i qytetarëve tanë dhe sigurimi i vaksinave kundër Covid-19. Prandaj kemi koordinim të vazhdueshëm me Ministrin e Shëndetësisë, z.Arben Vitia, për këto çështje. Me punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm të Ministrisë dhe të të gjitha institucioneve përkatëse si dhe në koordinim të vazhdueshëm me shtetet mike nga të cilët kemi kërkuar mbështetje, do të sigurohen vaksinat për qytetarët tanë dhe së bashku do t’ia dalim ta mundim Covid-19”, ka shkruar shefja e shtetit në rrjetin social “Facebook”.