Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Presidentja Osmani: Të gjitha “non-papers” e kanë vetëm një burim - Serbinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se të gjitha ato  “non-papers”, që kanë përbrenda ide destabilizuese për rajonin, sipas saj, e kanë vetëm një burim, e që është Serbia.

Sipas Osmanit, kjo është strategji e vjetër e Serbisë, e përsëritur tani me qëllim që një qasje e tillë të normalizohet e të bëhet pjesë e debatit të përditshëm, “e pastaj edhe e agjendës së dialogut, kërkesë kjo e rrezikshme dhe destabilizuese e saj, por dhe e Rusisë”.

“Prandaj, të mos bijmë në kurthin e tillë. Të kemi besim në aleatët tanë, por mbi të gjitha të kemi besim në vetveten. ‘Non-papers’, të tillë lëre që refuzohen nga ana jonë, por as nuk do të mund t’i përcaktojnë veprimet tona e as mbarëvajtjen e dialogut.  Leximi i kujdesshëm i këtyre ‘non-papers’ dhe idevë që prezantohen aty (siç janë ndryshimi i kufijve, krijimi i regjioneve autonome apo pushteteve të treta) tregon qartë se kush është hartuesi i vërtetë i këtyre dokumenteve”, ka shkruar ajo në Facebook.

Presidentja mes tjerash ka përkujtuar personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke kërkuar drejtësi.

“Sot është dita kur kujtojmë më të dashurit tanë fatin e të cilëve ende nuk e dijmë. Përderisa dhimbja jonë për ta vazhdon, përgjigjja rreth fatit të të zhdukurve me dhunë gjendet në Serbi. Asnjë “non-paper”, nuk mund t’i ndryshojë prioritetet e as kërkesat tona të drejta në raport me Serbinë: zbardhja e fatit të të zhdukurve, drejtësia si dhe  reparacionet për dëmet e luftës”, thuhet në publikimin e saj.

Një letër të cilën e ka siguruar KALLXO.com nga burimet e veta brenda Bashkimit Evropian, përveç idesë se krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kosovës po i kërkohet që veriu i vendit të jetë një Rajon Autonom.

Kjo letër e cila raportohet se është e shkruar nga Franca dhe Gjermania, është mohuar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rode.

Ambasadori gjerman në Kosovë Rode e ka quajtur lajmë të rremë se kjo letër është shkruar një Gjermania dhe Franca.

Përveç Asociacionit, Kosovës në Bruksel i kërkohet ‘Rajon Autonom i Veriut të Kosovës’ (Dokumenti i plotë)