Pamje nga takimi i presidentes Osman me kongresistët amerikanë. Foto: ZP.

Presidentja Osmani takon kongresistët amerikanë për çështjen shqiptare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur sot në takime nga bashkudhëheqësit e grupit për çështje shqiptare në kongresin amerikan, kongresistët Jim Himes dhe Ritchie Torres, si dhe nga anëtari i grupit, kongresisti Robert Aderholt.

Zyra e Presidentes, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se gjatë takimit me kongresistët Jim Himes dhe Ritchie Torres, presidentja Osmani shprehu vlerësimin për të gjitha nismat e ndërmarra në Kongres dhe në raport me administratën amerikane nga kongresistët në mbështetje të Kosovës, duke përfshirë iniciativën për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në NATO organizata të tjera ndërkombëtare.

Ndërsa, gjatë takimit me kongresistin Robert Aderholt, Osmani e njoftoi për punën e institucioneve të Kosovës dhe për reformat që po ndërmerren si dhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

“Presidentja Osmani potencoi se roli i NATO-s në Kosovë është tejet i rëndësishëm në ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Presidentja Osmani dhe kongresisti Aderholt po ashtu diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe SHBA-ve në fushën e mbrojtjes, ekonomisë si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani janë duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku fillimisht morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së SHBA-së, Madeleine Albright.