Parlamenti Evropian

Presidentja Osmani sot do t’i adresohet Parlamentit Evropian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, sot do t’i adresohet Parlamentit Evropian.

Osmani paraprakisht do të pritet në takim nga presidentja e PE-së, Metsola për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.

Përmes fjalimit të saj, Osmani do t’i adresohet deputetëve të PE-së lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pjesë e delegacionit të presidentes janë Vasfije Krasniqi Goodman e mbijetuar e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosove, Fahrije Hoti nga “Gratë e Krushës”, Blerta Bahsholli regjisore, Egzon Syla kapiten i FSK-së, Hana Qerimi ndërmarrëse dhe Liudmyla Makei gazetare ukrainase.

Adresimi i presidentes është planifikuar të mbahet rreth orës 11:30.

Osmani dje ka mbërritur në Strasburg ku është takuar me sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviç Buriç.