Veprimatari shqiptaro-amerikan Xhim Xhema duke pranuar medaljen "Urdhri i Lirisë" nga Presidentja Vjosa Osmani | Foto: ZPRK

Presidentja Osmani i dorëzon medaljen ‘Urdhri i Lirisë’, veprimtarit të mërgatës shqiptare të Amerikës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim një delegacion shqiptaro-amerikan, të kryesuar nga veprimtari i njohur i diasporës shqiptare të Amerikës, Xhim Xhema, të cilit ia ka dorëzuar medaljen ‘Urdhri i Lirisë’.

Sipas njoftimit, kjo medalje i është dhënë me motivacion për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është urë e fortë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe popullit shqiptar në Ballkan me aleatin strategjik, SHBA-në.

Sipas njoftimit, ajo ka potencuar se Xhema është ikonë e mërgatës shqiptare në Amerikë, i cili për më shumë se tri dekada ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ndërkaq veprimtari Xhim Xhema shprehu mirënjohjen e thellë për Presidenten dhe institucionet e Kosovës për mikpritjen dhe respektin.

Ai ka thënë se liria dhe pavarësia e Kosovës ka qenë beteja jetësore e tij dhe e të gjithë shqiptaro-amerikanëve.

“Ai tha se dekorimi me medaljen “Urdhri i Lirisë”, është respekt dhe mirënjohje jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj veprimtarëve shqiptaro-amerikan, të cilët për vite dhe dekada kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për forcimin e marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës”- ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

Në këtë takim, Osmani ka folur edhe për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet Kosova dhe nevojën për bashkërendim dhe unitet ndërmjet institucioneve te Kosovës me mërgatën shqiptare në SHBA.

Veprimatari shqiptaro-amerikan Xhim Xhema duke pranuar medaljen “Urdhri i Lirisë” nga Presidentja Vjosa Osmani | Foto: ZPRK