Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani/ Foto: ZPRK

Presidentja Osmani flet për 'Darkën e Lamës' në Iowa të ShBA-së

Në Iowa të Shtetetë të Bashkuara të Amerikës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për “Darkën e Lamës” duke treguar për simbolikën e saj.

Osmani mbajti një fjalim në Fondacionin e Çmimit Botëror të Ushqimit, i cili është çmim ndërkombëtar që njeh arritjet e individëve që kanë avancuar zhvillimin njerëzor duke përmirësuar cilësinë, sasinë ose disponueshmërinë e ushqimit në botë.

“Babai themelues i pavarësisë së Kosovës, presidenti i ndjerë, Rugova kishte kthyer një traditë të vjetër mijëvjeçare për të festuar atë që ne e quajmë “Darka e Lamës”, një mënyrë e veçantë për të shprehur falënderimin për bekimet e tokës të manifestuara përmes të korrave dhe mallrave dhe për punën e shquar të fermerëve tanë” – tregoi Presidentja Osmani.

Ajo shtoi se kjo është ngjarje perfekte për të shprehur vlerësimin për miqtë e partnerët nga e gjithë bota, për miqësinë, mbështetjen dhe partneritetin e tyre të palëkundur.

E para e vendit shprehi edhe falënderimin e saj dhe të popullit të saj për raportin vëllazëror mes Kosovës dhe Iowas.

“Shoqëria jonë i ka rrënjët në vlera dhe në falënderim të përbashkët për potencialin e pamasë të agrikulturës për të ndryshuar jetët e njerëzve për më mirë. Kosova dhe Iowa mund të jenë kilometra larg njëra tjetrës por ne jemi të bashkuara nga besimet tona dhe vlerësim për tokën tonë” – tha Vjosa Osmani, ndër të tjera.

Për njerëzit në Kosovë, Osmani tha se agrokultura nuk është thjesht një sektor tjetër, por është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë e pjesë integrale e ekonomisë.

Institucionet e Kosovës, sipas Osmanit janë duke e prioritizuar investimin në agrokulturë, pasi që e kanë parë rolin e saj jetësor në zhvillim dhe në përgjigje ndaj sfidës globale së sigurisë ushqimore.

Sfidat që lidhen me prodhimin e ushqimit e me agrokulturën në përgjithësi, sipas Presidentes janë rritur pas luftës në Ukrainë, pandemisë e ndryshimeve klimatike.

“Krejt këto sfida kanë një gjë të përbashkët, ato nuk janë shqetësime lokale apo rajonale. Këto janë sfida botërore që kërkojnë angazhimin tonë të bashkuar” – tha Osmani.

Presidentja, Vjosa Osmani po qëndron në vizitë zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga 24 tetori.