Foto: Forca e Sigurisë së Kosovës

Komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas sheh nga afër aftësitë luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, dhe komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneralmajor, Stephen E. Osborn, kanë realizuar një vizitë në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.

Gjatë kësaj vizite u diskutua bashkëpunimi ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowas, duke përfshirë planet dhe objektivat për tre vitet në vazhdim.

“Në linjë me objektivat e KOMFSK-së u shpalosen detajet e planit të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, duke u përqendruar në fushat e manovrës, mbështetjes logjistike, mjekësisë, kibernetikës, si dhe trajnimit të nënoficerëve”- thuhet në njoftim.

Ata vizituan Regjimentin e Tretë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore në Mitrovicë, ku dy gjeneralët u njoftuan me aktivitetet, trajnimet dhe të arriturat e kësaj njësie.

“Në kuadër të kësaj vizite, ata patën mundësinë që të shihnin demonstrimin e aftësive luftarake në poligonin e trajnimit të regjimentit, përfshirë mbështetjen me zjarr, operacionet sulmuese si dhe praktikat e zbulimit dhe raportimit në fushën luftarake”- thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se Regjimentet e Forcave Tokësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë duke realizuar aktivitetet sipas planifikimit dhe zhvillimit të kapaciteteve luftarake me qëllim të validimit sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT).