Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani/ Foto: ZPRK

Osmani në Iowa të SHBA-ve, do të takojë guvernatoren dhe komandantin e Gardës Kombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas një komunikate nga Presidenca, përveç takimit zyrtar me guvernatoren e Iowas, Kim Reynolds, Osmani do të ketë takim edhe me komandantin e  Gardës Kombëtare të Ioëa-s, gjeneralmajor Stephen E.Osborn.

“Ndër të tjera, Presidentja Osmani do të zhvillojë vizitë në Camp Dodge, kampin që ka një histori të pasur dhe që përdorët si një strukturë stërvitore për divizionet e ushtrisë amerikane. Në kuadër të vizitës në SHBA, Presidentja do të takohet me kryetaret e Des Moines, Norwalk, Fort Dodge, Council Bluffs, Johnston dhe Cedar Fallsit”- janë disa nga takimet dhe vizitat e tjera në agjendën e presidentes.

Më tej, Presidenca bën të ditur se Osmani pritet të ketë një diskutim në Drake University dhe adresim në DMACC.

“Poashtu, Presidentja Osmani do të jetë folëse kryesore në ngjarjen e udhëhequr nga ambasadori Branstad, President i Fondacionit të World Food Prize, ku pritet ta dorëzoj edhe zyrtarisht çmimin e sivjetëm të World Food Prize”- theksohet gjithashtu në komunikatë.

Në fund të kësaj vizite Presidentja do të ketë takim me mërgatën në ShBA.

Presidentja Osmani dje mori pjesë në takimin e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara ku ka folur në emër të Kosovës.

Osmani në mbledhje edhe një herë ka theksuar se prapa sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit qëndron Serbia.

“Grupet paramilitare janë financuar, trajnuar, armatosur, strehuar nga një burim – Republika e Serbisë. Financimi i këtyre dy organizatave terroriste të quajtur Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore kanë ardhur nga institucionet e Serbisë”- tha ajo.

“Siç tregojnë hetimet, ka pasur trajnime të përhershme të këtyre grupeve në bazat ushtarake në Serbi, përfshirë në Rashkë. Ka video, prova, dhe institucionet e Serbisë e pranojnë trajnimin e këtyre organizatave. Armët që i kemi konfiskuar mund të përdoren më së paku nga 400 njerëz, shumë nga to janë armë ushtarake të cilat prodhohen në fabrikat shtetërore ushtarake të Serbisë”- shtoi ajo.

Ajo gjithashtu u është drejtuar të gjithë qytetarëve të komunitetet serb të Kosovës, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre po aq sa edhe e saj.

“Për secilin serb që jeton në Kosovë – Kosova është shtëpia juaj po aq sa është e imja. Dua të punoj me secilin prej jush që ta bëjmë shtëpinë ku ju përparoni e kontribuoni vetë për ta bërë vend më të mirë për të gjithë ne”-ka thënë Osmani.

Ajo në këtë fjalim ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës dhe legjislacioni në fuqi parashohin mbrojtje të fuqishme për të drejtat e komunitetit serb për të shfrytëzuar, për të përdorur gjuhën në të gjitha nivelet, qoftë nacional apo lokal.

Osmani i drejtohet secilit serb kosovar: Kosova është shtëpia juaj po aq sa është e imja