Presidentja Osmani: Draft-statutin për Asociacionin duhet ta përgatisim me SHBA-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një intervistë në RTK, presidentja tha se ende ka dyshime se si mund të zbatohen në praktikë disa pjesë si neni 7 dhe 10.

Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut. Ndërkaq, neni tjetër kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë atë për Asociacionin.

“Ne duhet të ulemi me SHBA-në, të përgatisim draftin tonë, draftin e Republikës së Kosovës. Fillimisht të ulemi me partnerët tanë në SHBA, të prezantojmë para Sekretarit amerikan të Shtetit draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherinit, që garanton se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në opinionin nga Chollet dhe Escobar që sqarojnë që një trup i tillë do të jetë një trup koordinues, pa kompetenca ekzekutive” – tha Osmani.

Presidentja tutje theksoi se nuk është zgjidhja perfekte për Kosovën, por është obligim ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës që të formojë Asociacionin, që është edhe kërkesa kryesore e Serbisë në procesin e dialogut.