Gjyqtarët e rinj, Foto: Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Presidentja Osmani dekreton 48 gjyqtarë të rinj

Në pajtim me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot 48 gjyqtarë të rinj.

Në një njoftim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës bëhet e ditur se kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me gjyqtarët me qëllim të forcimit të sistemit gjyqësor.

Zogaj ka kërkuar nga gjyqtarët e rijnë përkushtim dhe angazhim sa më të lartë.

“Me këtë përbërje të sistemit gjyqësor, së bashku do i japim një kthesë të rëndësishme sistemit gjyqësor brenda një periudhe të shkurtër sepse na presin sfida të mëdha, mirëpo nuk kam dilemë se të gjithë ju do të bëni një punë të mirë”, tha mes tjerash kryesuesi Zogaj.

Tutje, në njoftimin e KGJK-së potencohet se duke u bazuar në ligjet në fuqi, kandidatët për gjyqtarë para se të dërgohen tek Presidentja për emërim, i janë nënshtruar procesit të zgjedhjes, proces të cilin e ka udhëhequr KGJK.

Gjyqtarët e rinj të emëruar sot, do të shpërndahen nëpër shtatë 7 gjykatat themelore të Republikës së Kosovës.

Gjyqtarët e rinj, Foto: Këshilli Gjyqësor i Kosovës