Presidenti ShBA-së Donald Trump e quan fitore linjën ajrore Prishtinë - Beograd

Linjës ajrore Prishtinë – Beograd Presidenti amerikan Donald Trump ia ka kushtuar disa fjalë në llogarinë e tij në twiter. Presidenti Trump këtë e ka quajtur ‘një tjetër fitore’.

“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhej. Por për herë të parë në një gjeneratë do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Tjetër fitore. Faleminderit ambasadorit Robert O’Brien dhe Ambasadorit Richard Grenell”, ka shkruar Presidenti Trump.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka mirëpritur qëllimin e dy linjave ajrore Eurowings dhe Grupit Lufthansa për të vendosur linje direkte mes Beogradit dhe Prishtinës, të nënshkruara sot në Berlin të Gjermanisë.

Stoltenberg e ka quajtur hap të rëndësishëm pasi që sipas tij, do të mundësohet qarkullimi i njerëzve dhe mallrave më lehtë dhe shpejtë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Komandanti i misionit tonë të KFOR-it ruan autoritetin në hapësirën ajrore mbi Kosovën, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe NATO do të mbetet i përfshirë përmes procesit të gjatë të Takimit të Normalizimit të Aviacionit në Ballkan, të cilin ne e udhëheqim”, thuhet në komunikatën e NATO-s të publikuar në faqen zyrtare.

 

Linjë ajrore Prishtinë – Beograd?

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit e ka mirëpritur angazhimin për vendosjen e linjës ajrore direkte Prishtinë-Beograd, pasi që sipas tyre, mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave edhe përmes transportit ajror.

“Ky hap është mirëpritur nga institucionet e Republikës së Kosovës, të angazhuar për normalizim të hapësirës ajrore, meqë shënon njohje të autoriteteve të aviacionit civil mes dy shteteve dhe bashkëpunim mes tyre, pas 20 vjetëve. Përmes kësaj linje, mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve dhe mallrave edhe përmes transportit ajror”, thuhet në komunikatën e MIT.

Ministria e Infrastrukturës e mirëpret hapjen e korridorit ajror Prishtinë – Beograd