Foto: Ilir Meta/Facebook

Presidenti Meta: Kosova e meriton të jetë sa më parë anëtare e NATO-s

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka përshëndetur vendimin e Parlamentit të Kosovës për të autorizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës të marrë pjesë në misionet paqeruajtëse në botë, në bashkëpunim me ushtrinë amerikane.

“Kosova dëshmon qartë çdo ditë se është jo vetëm një faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin e sigurinë në rajon, por edhe promovuese e këtyre vlerave në botë”, ka shkruar Meta në rrjetin social facebook.

Meta ka shkruar se Kosova e meriton plotësisht të jetë sa më parë anëtare e NATO-s dhe do të ketë mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë në këtë drejtim.

Dje me 92 vota  pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë së Kosovës që FSK-ja të dërgohet në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës, misionin e parë paqeruajtës ndërkombëtar do ta ketë në kuadër të Gardës Kombëtare të shtetit amerikan Ajova (Iowa).

Historike: Kosova dërgon Ushtrinë në misione paqeruajtëse