Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. FOTO: Bajram Begaj/Facebook.

Presidenti i Shqipërisë: Samiti i Berlinit në Tiranë, ngjarje historike

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj e ka cilësuar si ngjarje të madhe historike mbajtjen e samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, ku do të marrin pjesë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian.

Begaj ka thënë se mbajtja e këtij samiti në kryeqytetin shqiptar është një ngjarje historike për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit.

“Mbajtja në Tiranë sot e Samitit të Procesit të Berlinit është një ngjarje e madhe historike për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit. I uroj mirëseardhjen dhe punime të mbara delegacioneve pjesëmarrëse”- ka shkruar Begaj.

Sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku do të bashkohen udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Në Procesin e Berlinit merr pjesë edhe Kosova si shtet, sikurse shtetet e tjera.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Procesi i Berlinit është i nevojshëm për integrimin në BE.

Samiti i Berlinit po ndodh në një kohë kur Kosova është përballur me një situatë të tensionuar në veri të vendit. Një polic i Kosovës u vra nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.

Kancelari Scholz më herët ka bërë të ditur se synon që ta ringjallë këtë proces, duke thirrur një takim në Berlin më vonë gjatë këtij viti.

Tashmë është publikuar edhe agjenda e plotë e këtij samiti.

Agjenda e plotë e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë:

Në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve

Në orën 11:30 fjala hapëse

Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët europian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE

Në orën 13:30 fotografia familjare.

Në orën 15:30 nis sesioni i dytë i punës, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor

Në orën 16:45 do të përurohet Kolegji i Europës në Tiranë

Në orën 17:30 do të nënshkruhet marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional

Në orën 17:45 konferenca e përbashkët për shtyp

Në orën 18:30 ceremonia e inaugurimit të Piramidës