Charles Michel (Foto: Këshilli i Bashkimit Evropian)

Presidenti i Këshillit Evropian: Mbështes nismën e Ballkanit të Hapur

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka mbërritur të premten për një vizitë zyrtare në Tiranë. Ai është pritur në takim nga kryeministri Edi Rama, ndërsa më pas kanë dalë në një konferencë të përbashkët për mediat.

Kreu i KE theksoi se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Duhet t’i japim energji të reja procesit të integrimit për të krijuar stimuj të rinj për reforma dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit. Po punojmë që të japim rezultate konkrete. Po bëjmë përshpejtimin e integrimit. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe bisedimet duhet të nisin sa më shpejt”, tha Michel.

I pyetur nga gazetarët nëse e mbështet nismën e Ballkanit të Hapur, Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel është shprehur pro nismës rajonale, ku deri tani janë bashkuar vetëm tre nga gjashtë vendet e rajonit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

“Për Ballkanin e Hapur, më lejoni ta përsëris, unë personalisht e mbështes, uroj që të gjithë vendet t’i bashkohen kësaj nisme, pasi do të kenë aftësi për të bashkëpunuar ne sfidat e përbashkëta që ka rajoni. Sa më shumë që të jenë aq më të mëdha mundësitë për të bashkëpunuar për të forcuar strukturat ekonomike e politike. Kjo do ta lehtësojë afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Me paketa financiare shumë të mëdha që BE ka aktivizuar për rajonin. Janë paketa që kërkojnë të favorizojnë lidhjet rajonale për të rritur bashkëpunimin ekonomik”, deklaroi Michel.

Nisma “Ballkani i Hapur”, që fillimisht quhej “mini-Schengen”, u themelua në tetor të vitit 2019. Në atë kohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe dy kryeministrat, i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev, u takuan në Novi Sad, tetëdhjetë kilometra në veri të Beogradit, ku nënshkruan një deklaratë me qëllim themelimin e ‘mini-Schengen-it” mes tri vendeve.

Ideja e deklaratës, siç shpjeguan nënshkruesit, ishte që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të fillojë të funksionojë mbi katër liritë kryesore të Bashkimit Evropian – lirinë e lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Që atëherë janë mbajtur disa takime të përfaqësuesve më të lartë të tre shteteve.

Ndonëse nismëtarët e “Ballkanit të Hapur” kanë përsëritur vazhdimisht se kjo nismë është “përfshirëse” dhe u kanë bërë thirrje vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen asaj, vendet fqinje – Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova – nuk e shohin me entuziazëm këtë ide.

Partitë politike në Kosovë, në pushtet dhe në opozitë, vlerësojnë se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan “Ballkanit të Hapur për ndikimet nga Lindja” sesa një nisme për një treg të përbashkët rajonal.

Përfaqësuesit politikë të Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se nuk duhet të bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë për rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Francës, Macron më herët dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, së fundmi kanë propozuar krijimin e një Bashkësie gjeopolitike evropiane, në të cilën do të përfshiheshin vendet evropiane që ende nuk janë anëtare të BE-së. Kjo do të përfshinte edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë konferencës për shtyp në Tiranë Michel dhe Rama folën për Shqipërinë si një vend i asociuar, çka do të thotë se vendi do të jetë në tryezat e BE-së ku do të ketë vendimmarrje të rëndësishme, megjithëse jo si një vend anëtar.

Vizita e Michel të premten në Tiranë vjen një ditë qëndrimit më 19 maj në Serbi, ku pas bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Michel tha se integrimi evropian i Serbisë dhe i Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtohet dhe konfirmoi “zotimin e plotë” të BE-së në negociatat e anëtarësimit.

Gjithashtu, Michel u shpreh se Serbia duhet të ndjekë shembullin e shteteve europiane duke dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe duke vendosur sanksione ndaj Rusisë. Serbia është i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur regjimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po i bën thirrje Serbisë që të ndjekë regjimin e sanksioneve, teksa shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk mund të ketë të ardhme evropiane për shtete që mbajnë kontakte me Putinin./REL