Prerja ilegale e pyjeve, Policia shqipton fletëparaqitje për gjykatë ndaj pesë të dyshuarve

Stacioni policor në Shtërpcë nga Policia në Ferizaj ka vazhduar planin operativ lidhur me prerjen e pyjeve, transportin dhe shitjen ilegale të drunjëve me ç’rast ndaj pesë të dyshuarve janë shqiptuar fletëparaqitje për gjykatë.

“Policia, në bashkëpunim me pylltarët e Parkut Kombëtar ‘’Sharri ’’ sot, rreth orës 11:40 kanë kontrolluar në oborret e shtëpive të pesë  personave të dyshuar në fshatin Sevcë të Shtërpcës dhe aty kanë hasur sasi të drunjëve, rreth 30 metra kub”, ka njoftuar Policia.

Sipas njoftimit sasia e drunjëve do të konfiskohet nga ana e zyrtarëve të Parkut Kombëtar.

Policia Rajonale e Ferizajt, do të vazhdojë me aksione të tilla edhe në ditët në vijim në parandalim të prerjeve të pyjeve, transportit dhe shitjes ilegale të drunjëve, thuhet në njoftim.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.