Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimi i Bekë Berishës për shëndetësinë në Istog

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Istogut, Bekë Berisha, ka premtuar se nëse fiton e zgjidhet në krye të Komunës do të ketë mjekë të cilët do të japin shërbime në shtëpi.

Sipas Berishës, edhe analizat laboratorike do të kryhen për qytetarët e Istogut.

“Laboratori në Istog nuk funksionon, rëntgeni nuk funksionin. Me mua do të funksionojnë të gjitha, do të ketë disiplinë dhe do të ketë punë. Të gjitha analizat laboratorike do të ofrohen, shërbimi mjeku në shtëpi do të ofrohet”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut, diskutuan në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në emision ishin kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Istog: Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Ilir Ferati ka siguruar 41,09 për qind të votave, kurse Bekë Berisha nga AAK, ka marrë  26,49 për qind.