Seanca e Kuvendit të Kosovës më 3 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Pozitë e opozitë, mbështesin Programin Kombëtar për zbatimin e MSA-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës e ka prezantuar Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2021 – 2025.

Bislimi tha se qëllimi i Planit Kombëtar të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociim, është plotësimi i detyrimeve të MSA-së dhe reformave të tjera për integrim në BE, përmes përafrimit të legjislacionit vendor.

“Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit përmban 242 masa afatshkurtra prej tyre 109 masa legjislative dhe 133 masa zbatuese si dhe objektiva prioritare afatmesme”, tha Bislimi.

Sipas tij kostoja totale e zbatimit të programit për këtë vit është vlerësuar të jetë 47 milionë e 676 mijë 792 euro prej të cilave 44 milionë e 931 mijë e 171 euro janë nga buxheti shtetëror dhe 2 milionë e 745 mijë e 621 euro nga mbështetja e donatorëve, kryesisht BE dhe donatorët bilateral.

63 deputetët prezent unanimisht e miratuan Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2021 – 2025.

Blerta Deliu deputete e PDK-së, tha se kjo është kontrata e parë mes institucioneve të Kosovës dhe atyre të BE-së dhe ka një rëndësi të veçantë.

Sipas saj deri tani nuk kanë parë qasje të veçantë e as qasje serioze të Qeverisë në raport me procesin e integrimeve evropiane.

“Ne e kemi ngrit disa herë çështjen e mungesës së ministrisë për Integrime Evropiane. Kjo po dëshmon që nuk është fare prioritet i kësaj qeverie agjenda integruese dhe Kosova nuk ka qenë asnjëherë më e shthurur në raportet e saj me përfaqësues të BE-së”, tha Deliu.

Deliu shtoi se Qeveria përgjatë 6 muajve të saj nuk ka lënë bord, e nuk ka lënë agjenci të pavarur pa e mbushur me të afërm e familjar, dajë, nipa e mbesa.

“Që në start po e shohim që po e shkelim me dy këmbë një dokument i cili nuk i duhet vetëm raporteve tona me BE por në radhë të parë i duhet shtetit tonë”, tha ajo.

Edhe deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj tha se kur debatohen dokumente të tilla, është vendi që kjo sallë të jetë plotë dhe tërë Qeveria të jetë e pranishme.

“Kjo e dëshmon seriozitetin tonë”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja Vlora Dumoshi, tha se Grupi Parlamentar e LDK-së e mbështetë miratimin e programit.