Politikani francez nga ura e Ibrit e quan UÇK-në 'terroriste', Qeveria thotë se rasti i tij po trajtohet nga institucionet

Ka disa ditë që politikani francez dhe njëkohësisht deputeti në Parlamentin Evropian, Nicolas Bay, po publikon video-mesazhe dhe postime nga qëndrimi i tij në Kosovë.

Bay në videot e publikuara e ka quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “terroriste”. Ai gjithashtu e ka quajtur qytetin e Prizrenit si ”ish-qytet i mbretërve të Serbisë”.

Për këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se rasti i Bay është duke u trajtuar nga institucionet relevante.

“Rasti me z. Bay është duke u trajtuar nga institucionet relevante dhe së shpejti do t’ju komunikojmë veprimet tona institucionale”- ka thënë Kryeziu për KALLXO.com

Bay në videon në të cilën e quan UÇK-në “terroriste”, shihet tek ura e Ibrit në qytetin e Mitrovicës.

“Këtu në urën e Mitrovicës, serbët e krishterë e mbrojtën territorin e tyre nga sulmet e terroristëve shqiptarë të UÇK-së.  Ata kanë qenë beden të qytetërimit tonë evropian” – shkruan ai në Twitter.

Në serinë e vizitës së tij, Bay ka vizituar edhe Manastirin e Deçanit, ku edhe është takuar me klerikun Sava Janjiq, teksa ka thënë se prezenca e murgjëve serbë aty është më se tetë shekuj.

Bay në shkrimet e tij në Twitter, qytetin e Prizrenit e ka quajtur si “ish-qytet i mbretërve të Serbisë”.

“Prizreni, një qytet evropian dhe ish-qyteti i mbretërve të Serbisë, tani është i pushtuar nga shqiptarët myslimanë. Në këtë tokë të Evropës, kishat janë zëvendësuar nga xhamitë. Ndërkohë, qeveritë perëndimore kanë kthyer kokën”- ka deklaruar ai.

“Ata [Qeveria] përdorin drejtpërdrejt fëmijët për propagandën e tyre duke i bërë të valëvisin flamurin shqiptar në rrugët e Prizrenit” – thotë ndër të tjera Bay.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj postimeve të Bay, duke i quajtur deklaratat e tij shfaqje ndaj urrejtjes dhe propagandës.

“Ky person është deputet! Ju lutemi raportoni këtë postim. Çfarë shfaqjeje publike e injorancës, urrejtjes dhe propagandës”- ka shkruar Çitaku.

Ndaj postimeve të Bay ka reaguar edhe shkrimtari Gazmend Kapllani, i cili thotë se “ Nicolas Bay është person i urryer që lë pas erën e keqe të gënjeshtrave të tij kudo që shkon”.

“Nicolas Bay nuk mund të shkojë në Moskë tani për të lavdëruar vrasësin masiv, Putinin. Kështu që ai është takuar me ata që janë mishëruar me ideologjinë dhe krimet perandorake të Putinit në Ballkan. Nicolas Bay është një person i urryer që lë pas erën e keqe të gënjeshtrave të tij kudo që shkon, në Francë apo jashtë saj”- shkruan Kapllani.