Rektorati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Politika dhe UP-ja, ndikimi i hapjes së universiteteve nëpër qytete

Pushtetet e ndryshme në Kosovë kanë marrë vendime lidhur me universitetet, që mund të shihen si vendime që sjellin vota nga studentët.

Në kohën kur në krye të ekzekutivit ishte Hashim Thaçi, shumë universitete publike u hapën në vend.\

Në anën tjetër, nën udhëheqjen e Albin Kurtit, u hoq çdo obligim që kishin studentët për pagesën e semestrit, duke i bërë kështu studimet pa pagesë.

Përveç Prishtinës, Pejës e Prizrenit, më 6 mars 2013 përmes një vendimi Qeveria themeloi edhe tri universitete të tjera, përkatësisht atë të Mitrovicës, Gjilanit e Gjakovës.

Për këto tema ka folur në emisionin “Kallxo Përnime” rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi.

Ai ka thënë se çështjet që kanë të bëjnë me mbylljen apo jo të universiteteve publike janë çështje që kërkojnë debat më të gjerë që s’i përkasin vetëm rektorit të UP-së. Ndërsa lidhur me lirimin e studentëve nga pagesa, Qerimi tha se kjo nuk ndikon fare në cilësi të studimeve, por ka edhe vende të tjera si Sllovenia ku studimet në universitete publike janë krejtësisht pa të holla andaj Kosova nuk është e vetmja. Problem më të madh paraqet fakti që numri i studentëve në universitetet publike në përgjithësi është në rënie.

“Ajo çfarë mund të them unë është që kjo çështja e numrave të studentëve është vërtet një sfidë edhe për Universitetin e Prishtinës, njësoj sikurse është nëpër secilin institucion të arsimit në vend. D.m.th. numri i vogël i studentëve. Ka degë edhe në UP që numri i studentëve ka pësuar rënie” – ka thënë Qerimi.

Ndryshe më 2013 u mor vendimi që në Mitrovicë dy fakultete do të shndërrohen në universitete publike, përkatësisht Fakulteti i Shkencave Teknike të Aplikuara dhe ai i Gjeo-Shkencave e Teknologjisë.

Në Gjilan, Fakulteti i Edukimit, ai Juridik dhe Ekonomik, me gjithsej rreth njëmijë studentë, u shndërrua në universitet, ndërsa në Gjakovë Fakulteti i Edukimit dhe Mjekësisë (drejtimi Mami dhe Infermieri) me gjithsej rreth 300 studentë është po ashtu universitet.

Zgjerohen Qytetet Universitare në Kosovë (TV)