Foto-ilustrim

Zgjerohen Qytetet Universitare në Kosovë (TV)

Tri fakultete të Universitetit të Prishtinës që ofrojnë mundësi studimi në Mitrovicë, Gjakovë dhe Gjilan janë shkëputur dhe do të funksionojnë prej vjeshtës si universitete publike në vete.

Kështu nga shtatë rajone administrative sa ka Kosova vetëm Ferizaj mbetet pa universitet publik. 

Përveç Prishtinës, Pejës e Prizrenit, më 6 mars 2013 përmes një vendimi qeveria themeloi edhe tri universitete të reja, përkatësisht atë të Mitrovicës, Gjilanit e Gjakovës. Ato duhet të hapen nga 1 tetori.

Në Mitrovicë janë dy fakultete që do të shndërrohen në universitet publike përkatësisht Fakulteti i Shkencave Teknike të Aplikuara dhe ai i Gjeo-Shkencave e Tekonologjisë.

Në Gjilan, fakulteti i edukimit, ai juridik dhe ekonomik, me gjithsej rreth një mijë studentë, do të shndërrohen universitet ndërsa në Gjakovë Fakulteti i Edukimit dhe Mjekësisë (drejtimi mami dhe infermieri) me gjithsej rreth 300 studentë do të jetë po ashtu universitet.

Këto fakultete janë aktualisht të akredituara nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës mirëpo ligji kërkon që secili universitet të akreditojë programet e veta.

Ligji për arsimin e lartë në nenin 10, pika 2, përcakton kushtet që duhet t’i plotësojë një bartës i arsimit për hapjen dhe përdorimin e emrit “Universitet”. 

Aty thuhet se “…emërtimi ‘Universitet’, mund t’i jepet vetëm atij bartësi të akredituar të arsimit të lartë, që ka ofruar kurse ose programe të akredituara për së paku pesë vjet…”.

Zyrtarë të Agjencionit për Akreditim të Kosovës kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjet e gazetës lidhur me akreditimin e universiteteve të reja.

“Për këtë çështje drejtojuni MASHT-it. Ata ashtu si i kanë themeluar edhe dinë për këtë gjë”, tha shkurt për gazetën zyrtari ligjor, Elmi Kelmendi.

Në Universitetin e Prishtinës besojnë që për universitetet e reja vlen akreditimi që fakultetet e Mitrovicës, Gjilanit dhe Gjakovës kanë pasur gjersa funksionin në kuadër të tij.

“Fakultetet janë të akredituara sepse kanë qenë në kuadër të Universitetit të Prishtinës”, tha Esat Kelmendi, sekretar i përgjithshëm në Universitetin e Prishtinës. 

Kështu mendojnë edhe zyrtarët e Ministrisë së Arsimit. “Këto universitete do të fillojnë me programet ekzistuese të cilat veçse janë të akredituara”, tha Arbër Morina, këshilltar i ministrit të arsimit.

Arbër Morina

“Janë bërë hulumtime dhe nuk ka staf të tepërt”

Ministria e Arsimit ende nuk e ka ndarë buxhetin e as nuk ka përcaktuar kuadrin profesional për universitetet e posa themeluara. 

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës i cili njëkohësisht është edhe profesor në UP, Dukagjin Pupovci, thotë se hapja e universiteteve të reja nuk është bërë në mënyrë të planifikuar. “Hapja është bërë në mënyrë të planifikuar vetëm në kuptimin se janë dhënë premtime në fushatën zgjedhore, e të gjitha partitë janë pajtuar”, thotë Pupovci. 

I pyetur rreth buxhetit, këshilltari Morina tha se nuk mund të paragjykohet në shuma të sakta. “Do të caktohet buxheti që të fillojnë punën këto universitete, e pastaj do të bëhen kërkesa në Qeverinë e Kosovës që të caktohet buxheti fiks.” 

MASHT gjithashtu ende nuk ka përcaktuar stafin dhe kuadrot që do të angazhohen.

“Kuadër nuk mund të themi se ka të tepërt, por kemi biseduar edhe me Universitetin e Prishtinës dhe ky kuadër që e kemi aktualisht me siguri se do të lëvizë në universitetet tjera”, tha Morina. 

Sipas tij, “janë bërë hulumtime dhe nuk ka staf të tepërt, por nuk është mungesë edhe shumë e madhe”.

Me konstatime të tilla nuk pajtohet njohësi i çështjeve të arsimit  Dukagjin Pupovci.

“Nuk është se Kosova ka njerëzit të rinj të kualifikuar që shëtisin rrugëve e tash ne mund t’u ofrojmë mundësinë të ligjërojnë në Universitete”, thotë Pupovci. 

Me rreth 80 mijë studentë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik e privat, e gati po aq nxënës sa janë në Kosovë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011, i gjithë shteti ka vetëm një mijë 336 doktorë shkencash.  

Këto janë të dhëna zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të publikuara në “Raportin e Cilësisë”, hartuar gjatë regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. 

Prej këtyre ligjëruesve me gradën “Dr”,  220 janë mbi moshën 65 vjeç.

“Ne nuk i kemi fare kuadrot. Do kohë që kuadri të zhvillohet”, thotë Pupovci. 

Universitetet publike edhe pse do të hapen në qytete ku ka fakultete private nuk shihen se do t’i bëjnë konkurrencë këtyre të fundit.

Universitetet publike do të ekzistojnë për shkak se duhet të ekzistojnë kurse universitetet private ekzistojnë për shkak të cilësisë, thotë Lulzim Tafa, rektor në universitetin AAB. 

“Ne nuk e shohim si konkurrencë hapjen e universiteteve të reja publike”. 

Zyrtarët e universitetit UBT konkurrencën e shohin vetëm me “universitetet e jashtme presigjioze”. 

“UBT ka programe paksa të veçanta prej tjerëve si departamenti për menaxhimin e mekatronikës”, tha Naile Demiri, menaxhere e Zyrës për Media dhe komunikim me publikun.

Dukagjin Pupovci

“E jashtëzakonshme si imagjinatë, e lëre më si realitet”

Ratifikimi i tri universiteteve të fundit është bërë më 30 maj 2013 nga Kuvendi i Kosovës. 

Përkundër kritikave të ashpra gjatë diskutimit në Parlament, sidomos nga deputetët e partive opozitare, universitetet janë ratifikuar.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Idriz Vehapi nga PDK, rekomandoi që të ratifikohen marrëveshjet e mbështetje dha edhe kryetari i grupit parlamentar të PDK-së Adem Grabovci.

Ratifikimi, të paktën deklarativisht, është kundërshtuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Sabri Hamiti i cili e ka quajtur këtë si “akt të jashtëzakonshëm”.

“E jashtëzakonshme si imagjinatë, e lëre më si realitet”, thoshte Hamiti gjatë seancës plenare.

Ai ka qenë më i zëshmi gjatë seancës parlamentare duke e quajtur iniciativën për themelimin e universiteteve publike si akt të bazuar në “motivim popullor”. 

“Problemi është tutje. Kërkesa popullore a i qëndron kriterit, a i qëndron ligjit?”, pyeste Hamiti gjatë seancës.

Deputeti ka kritikuar edhe ministrin e arsimit Ramë Buja për letrën e shkruar keq, duke ju referuar vendimit të Qeverisë për hapjen e universiteteve.

“Buja flet pa letër më bukur shqip se që flet letra e Ministrisë së tij që mbetet dokument shtetëror. Unë e di që nuk e ke shkruar ti, por mos i nënshkruaj letrat që t’i shkruajnë keq”, i thoshte Hamiti, ministrit.

Pavarësisht kritikave, Hamiti figuron në mesin e 78 deputetëve që kanë votuar ratifikimin e universiteteve ashtu si edhe deputeti i VV-së Afrim Kasolli i cili kritikoi ashpër iniciativën.

“Vendimet groteske të kësaj qeverie nuk kanë të ndalur. Me mendime të tilla, besoj se absurditeti institucional e arrin kulmin e tij”, thoshte Kasolli. “Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e mban një qëndrim të thellë kritik ndaj vetë mënyrës se si po themelohen këto universitete”.

“Shtrohet pyetja a duhet të realizohet ky dimension sasior mbi atë cilësor. Pa mëdyshje se jo”, thoshte Kasolli i cili në fund të seancës votoi pro ratifikimit të universiteteve.  

Jakup Krasniqi dhe Ramë Vataj nga Parita Demokratike e Kosovës dhe Glauk Gonjufca nga Lëvizja Vetëvendosje janë deputetët e vetëm që kanë abstenuar gjatë votimit.

Krasniqi gjatë fjalës së tij shtroi disa pyetje për ministrin Buja.

“A është arritur cilësia e duhur në universitetet publike që i kemi, për të shkuar në hapin tjetër, në formimin e universiteteve tjera? A ka ndonjë planifikim të studiuar për nevojat 10-vjeçare të Republikës së Kosovës për kuadro ekspertë të fushave të ndryshme? A është bërë ndonjë krahasim me numrin e banorëve, por edhe me mundësitë financiare me ndonjë vend evropian, që ne pastaj ta tejkalojmë atë numër të universiteteve?”, pyeste Krasniqi gjatë seancës.

Gjashtë muaj më herët është inauguruar dhe akredituar universiteti i Pejës, Haxhi Zeka, ani pse themelimi i tij kishte probleme ligjore sepse nuk ishte aprovuar nga Parlamenti dhe për të nuk ishte paraparë buxhet.  

Tri vjet më herët ka filluar punën universiteti i dytë publik Ukshin Hoti në Prizren i cili po ashtu ishte kritikuar për mungesë të bazës ligjore dhe planifikimit të fillimit të mësimit. 

Sabri Hamiti

Komunat universitare

“Kryetarët e komunave na kanë dhënë mbështetje të madhe në infrastrukturë”, thotë këshilltari Morina. 

Gazeta ka kontaktuar me zyrtarët e tri komunave të cilat nga shtatori do të jenë “qytete universitare”. 

Pal Lekaj, kryetar i komunës së Gjakovës thotë se gjithçka do të bëhet shumë shpejt për fillimin nga puna të Universitetit në qytetin e tij. Mungesën eventuale të kuadrit akademik as që e vë në pikëpyetje.

Lekaj  beson se Gjakova ka vite që e ka merituar të ketë universitet sepse jo vetëm që ka mjaft kuadro por e ka mbajtur edhe Universitetin e Prishtinës me profesorë.

“Ne kemi formësuar edhe Universitetin e  Prishtinës. Gjakova në këtë drejtim nuk ka hamendje që  është e përgatitur”, thotë Lekaj për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Në krahasim me numrin e banorëve Lekaj nuk është i sigurt se a ka nevojë Kosova për kaq shumë universitete.

“Realisht me kaq numër të banorëve dhe hapësirë jo aq të madhe, është dashur të mos krijohen kaq  shumë universitete”, thotë Lekaj. Por kur vjen puna për Gjakovën, thotë se ky konstatim nuk vlen. 

“Gjakova e ka merituar Universitetin para Pejës, Gjilanit e Mitrovicës”. 

Por edhe në Mitrovicë thonë se janë të lumtur  me hapjen e universitetit, pavarësisht problemeve që mund të dalin.

“Lokacioni për të ndërtuar objektin e ri të Universitetit të Mitrovicës është caktuar në lagjen ‘Fidanishte’ ku ka hapësirë të mjaftueshme”, thotë Ali Bejta, drejtor i arsimit, për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Objekti pritet të ndërtohet brenda tri vjetësh dhe financohet nga të Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Derisa të ndërtohet objekti i ri, Universiteti i Mitrovicës do të funksionojë në ndërtesën e fakulteteve ekzistuese.

Sipas ligjëruesit Nexhmedin Spahiu, Mitrovica duhet të ketë universitet sepse sipas tij në të kaluarën 1/3 e studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe objekteve universitare  kanë qenë në këtë qytet. 

Por Spahiu nuk pajtohet që universiteti të ndërtohet në lagjen “Fidanishte” sepse kjo lagje, sipas tij, është shumë e bukur por duhet të ndërtohet në një tjetër. Kështu Mitrovica do të kishte më shumë lagje atraktive.

Në Gjilan infrastruktura për hapjen e universitet është e “gatshme” sipas kryetarit të kësaj komunë Qemajl Mustafa.

“Në Gjilan, planet për universitet janë edhe më të hershme, madje nga viti 2008”, thotë Mustafa. “Qeverisë e Kuvendit u jemi shumë mirënjohës për vendimin që të hapet Universiteti i Gjilanit”.

Qemajl Mustafa