Ilustrim - Policia në aksion

Policia sekuestron armë pa leje në Prishtinë

Policia në rajonin e Prishtinës, më orët e para të mëngjesit të sotëm kanë sekuestruar armë e municion në Prishtinë.

Zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se arma dhe municioni janë gjetur gjatë një pike kontrolli në Prishtinë.

“Zyrtarët e stacionit policor Qendra, sot rreth orës 03:00, në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë, në pikë kontrolli kanë ndaluar një veturë të tipit Smart, në të cilën gjendeshin dy persona. Pas  një kontrolli të detajuar që u është bërë  personave dhe veturës, policia ka arritur që të gjej dhe të sekuestroj një revole të tipit EKOL dhe tre fishekë”, ka thënë Ahmeti.

Ajo tutje ka bërë të ditur se në lidhje me këtë rast në stacionin policor është shoqëruar pasagjeri i cili ndodhej në veturë.

“I dyshuari, pasagjer në veturë F. O., 50 vjeçar është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”, ka thënë Ahmeti.