Policia pakistaneze e akuzon ish-kryeministrin Imran Khan për akt terrorist

Policia e Pakistanit e ka akuzuar ish-kryeministrin e vendit, Imran Khan, sipas ligjeve kundër terrorizmit.

Hetimi i tyre vjen pasi ai e akuzoi policinë dhe drejtësinë për ndalimin dhe torturimin e ndihmësit të tij të ngushtë.

Tensionet janë të larta në Pakistan, me mbështetësit e ish-liderit të mbledhur jashtë shtëpisë së tij duke u zotuar se do ta “marrin përsipër kontrollin” nëse ai arrestohet.

Që kur u rrëzua nga pushteti në muajin prill, Khan ka qenë një kritik i zëshëm i qeverisë dhe ushtrisë së vendit.

Policia i njoftoi akuzat pasi politikani pakistanez i akuzoi autoritetet se e kishin torturuar ndihmësin e tij të ngushtë, i cili është i arrestuar nën akuzat për kryengritje.

Në një fjalim publik të shtunën, Khan e dënoi shefin e policisë së Islamabadit dhe një gjyqtare femër për ndalimin dhe keqtrajtimin e dyshuar të kolegut të tij të partisë, Shahbaz Gill.

“Duhet të përgatiteni gjithashtu pasi ne do të marrim masa kundër jush”, tha ai në fjalimin, duke iu referuar drejtpërdrejt dyshes.

Zyrtarët e akuzuan Khan për shkeljen e aktit anti-terrorist të vendit për gjoja kërcënime kundër zyrtarëve shtetërorë.

Qindra mbështetës të ish-kryeministrit u mblodhën jashtë shtëpisë së tij në Islamabad pasi lajmet për hetimin u publikuan.

Policia e pranishme në vendngjarje tha se nuk ishte aty për ta arrestuar ish-udhëheqësin, por për ta ruajtur rendin dhe qetësinë.

Rasti vjen në një kohë të tensionit të shtuar midis qeverisë së Pakistanit dhe Khanit, i cili u rrëzua nga pushteti në prill përmes një vote mosbesimi.

Që atëherë, ish-udhëheqësi e ka vizituar vendin për të mbajtur një sërë fjalimesh të zjarrta duke bërë thirrje për zgjedhje të reja dhe duke e kritikuar ashpër qeverinë dhe ushtrinë.

Të shtunën, rregullatori i medias në Pakistan njoftoi se kanalet televizive do të ndalohen t’i transmetojnë fjalimet e tij drejtpërdrejt, duke e akuzuar Khan për gjuhë të urrejtjes kundër institucioneve shtetërore.

Ish-udhëheqësi pretendon se qeveria po përpiqet ta censurojë atë. Të dielën, ai e kritikoi ndalimin në një tubim tjetër politik në Raëalpindi.

“Çfarë krimi ka kryer Imran Khan? Unë kurrë nuk do ta pranoj këtë bandë hajdutësh,” u tha ai mbështetësve të tij.

Khan më vonë e akuzoi qeverinë për bllokimin e qasjes në YouTube në gjysmë të fjalimit në një përpjekje për t’i parandaluar njerëzit që ta dëgjojnë atë drejtpërdrejt.

Pavarësisht se u rrëzua nga pushteti me një votë mosbesimi në fillim të këtij viti, Imran Khan vazhdon të llogarisë në mbështetjen e shumë votuesve pakistanezë.

Muajin e kaluar, partia e tij PTI i mahniti rivalët duke marrë kontrollin e një asambleje provinciale vendimtare në Punjab, duke e mundur partinë PML-N në atë që pritej të ishte një fitore e lehtë për ta.

Shumë e panë fitoren e zgjedhjeve të brendshme të korrikut si një sinjal të popullaritetit të vazhdueshëm të Khan në kutinë e votimit – dhe një parashikim të asaj që mund të ndodhte nëse do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme që ai kërkonte.

Politikani karizmatik u zgjodh kryeministër në vitin 2018, por u përplas me ushtrinë e fuqishme të Pakistanit në fund të mandatit të tij. Pas një sërë dezertimesh, ai humbi shumicën në parlament./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala