Irani i mbyll kufijtë me Afganistanin dhe Pakistanin, pas shpërthimeve

Irani njoftoi të premten se po i mbyll kufijtë e vet me dy vendet fqinje, Afganistanin dhe Pakistanin, për ta rritur sigurinë, pasi shpërthimi i dy bombave i vrau afro 100 njerëz në qytetin juglindor, Kerman, më 3 janar.

Agjencia iraniane ISNA e citoi ministrin e Brendshëm të Iranit, Ahmad Vahidi, duke thënë se Qeveria iraniane i ka tani prioritet pikëkalimet kufitare përgjatë kufijve me Afganistanin dhe Pakistanin, të cilat kanë një shtrirje prej gati 1.000 kilometrave.

Së paku 89 njerëz u vranë nga këto shpërthimet gjatë shënimit të përvjetorit të ish-komandantit iranian, gjeneralit Qassem Soleimani, i cili ishte vrarë para katër vjetëve nga një sulm ajror amerikan.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Shteti Islamik, i cili tha se dy prej anëtarëve të tij i aktivizuan jelekët e mbushur me eksplozivë në tubimin ku po shënohej përvjetori i vrasjes së Qasem Soleimanit në qytetin juglindor të Iranit.

Ministri i Brendshëm i Iranit, Ahmad Vahidi, tha të premten më herët për televizionin shtetëror se disa të dyshuar janë arrestuar.

“Agjencitë e afta të inteligjencës së vendit tonë kanë gjetur pista shumë të mira në lidhje me elementet e përfshira në shpërthimet terroriste në Kerman, dhe një pjesë e atyre që patën gisht në këtë incident janë arrestuar”, tha ai, pa shpjeguar.

Qeveria e Afganistanit, e udhëhequr nga talibanët, dhe Ministria e Jashtme e Pakistanit, nuk kanë reaguar ende ndaj njoftimit për mbylljen e kufijve. Të dyja vendet e dënuan sulmin e 3 janarit.

Në të kaluarën, Teherani i ka akuzuar këto dy vende për lejimin e emigrimit të jashtëligjshëm, dhe nganjëherë lejimin e terroristëve të kalojnë kufirin dhe ta dëmtojnë sigurinë kombëtare të Iranit.

Në Afganistan, talibanët po e luftojnë Shtetin Islamik-Khorasan (IS-K), i cili është degë lokale e Shtetit Islamik, prej se u themelua më 2015.

Irani dhe fqinjët e Afganistanit nga Azia Qendrore, si dhe Rusia, i cilësojnë Shtetin Islamik dhe IS-K si kërcënim të madh ndaj sigurisë./REL