Pakistan, dënohet ish-kryeministri Khan për zbulimin e sekreteve para zgjedhjeve

Një gjykatë pakistaneze dënoi të martën me 10 vjet burg ish-kryeministrin Imran Khan për zbulimin e sekreteve zyrtare. Ky është rasti i fundit në një mori çështjesh ligjore që mbështetësit e tij thonë se synojnë të përjashtojnë nga politika ish-yllin e burgosur të kriketit vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve parlamentare.

Politikani islamist i cili u rrëzua nga pushteti me një votë mosbesimi në vitin 2022, nuk është kandidat sepse ai tanimë po vuan një dënim prej tre vjetësh burgim. Ai përballet gjithashtu me mbi 150 raste të tjera të mundshme ndaj tij. Megjithatë, ai mbetet një forcë e fuqishme politike për shkak të retorikës së tij kundër elitave të vendit.

Pakistani u përball me demonstrata të dhunshme pas arrestimit të zotit Khan vitin e kaluar dhe autoritetet kanë goditur mbështetësit dhe partinë e tij që atëherë, duke i bërë ata të druhen për të organizuar tubime.

Zgjedhjet e 8 shkurtit do të mbahen në një moment delikat në Pakistan. Vendi është zhytur në një krizë ekonomike që pasardhësi i zotit Khan, Kryeministri Shehbaz Sharif, ka pasur vështirësi për ta menaxhuar. Zoti Sharif arriti të sigurojë një ndihmë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar vetëm pasi ra dakord për një rritje të konsiderueshme të tarifave për gazin dhe energjinë elektrike që çoi në rritje alarmante të çmimeve për mallrat e përditshme dhe e bëri partinë e tij jopopullore.

Të martën, zoti Khan u dënua pasi u akuzua për zbulimin e sekreteve shtetërore duke mbajtur në dorë një dokument sekret gjatë një tubimi në mars 2022, një muaj para hunbjes së votëbesimit. Dokumenti nuk është bërë publik, por besohet se është korrespondencë diplomatike midis ambasadorit pakistanez në Uashington dhe Ministrisë së Jashtme në Islamabad.

Ish-Kryeministri Khan tha se dokumenti ishte provë se ai po kërcënohej dhe se rrëzimi i tij nga pushteti ishte një komplot i Shteteve të Bashkuara, me dyshimin se plani u ekzekutua nga ushtria dhe qeveria në Pakistan. Zyrtarët amerikanë dhe pakistanezë e kanë hedhur poshtë akuzën.

Një gjykatë speciale në burgun e qytezës ushtarake, Rawalpindi, ku po mbahet zoti Khan, shpalli vendimin, sipas Zulfiqar Bukharit, zëdhënësit kryesor të partisë “Pakistani Tehreek-e-Insaf” të zotit Khan, ose PTI.

Një zyrtar i lartë në parti, Shah Mahmood Qureshi, i cili u akuzua për manipulim të përmbajtjes së kabllogramit diplomatik me qëllim të përfitimit politik, u dënua gjithashtu me 10 vjet burg.

Zoti Khan ka deklaruar se është i pafajshëm, duke thënë se nuk e ka bërë të ditur përmbajtjen e saktë të dokumentit. Partia e tij e hodhi poshtë gjyqin si një mashtrim dhe ekipi i tij ligjor planifikon të apelojë dënimin përpara Gjykatës së Lartë të Islamabadit, të mërkurën.

Akuza të tjera kundër zotit Khan përfshijnë mosrespektim të gjykatës, terrorizëm dhe nxitje të dhunës.

Pavarësisht pakënaqësisë me qeverinë, analistët thonë se pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme mund të mbetet e ulët pasi zoti Khan është i vetmi në partinë e tij që kishte fuqinë për të tërhequr masat.

“Përkrahësit e dëshpëruar dhe të zhgënjyer të Imran Khanit do të qëndrojnë larg votimit sepse kanë frikën se partia e tyre nuk do të fitojë zgjedhjet”, tha Azim Chaudhry, analist politik, duke e quajtur PTI-në një “parti pa udhëheqës”.

Komisioni për të drejtat e njeriut në Pakistan ka thënë se ka pak mundësi për zgjedhje parlamentare të lira dhe të ndershme pasi shumë kandidatë nga partia e zotit Khan nuk janë lejuar të marrin pjesë në zgjedhje.

Partia e ish Kryeministrit tha në një deklaratë se qëndron me zotin Khan dhe zotin Qureshi, “të cilët mbrojtën Pakistanin dhe luftuan për pavarësi të vërtetë”. Partia i cilësoi procedurat si një “gjykim të rremë” dhe tha se gjykatësi nuk i lejoi as avokatët e të dënuarve t’i mbrojnë ata.

Megjithatë, partia u kërkoi mbështetësve të tij që të mos përdorin dhunë.

“Ne duhet t’i shfrytëzojmë këto energji për ditën e votimit” për të siguruar që kandidatët e zotit Khan të fitojnë zgjedhjet “me një shumicë dërrmuese”, tha Omar Ayub, një mbështetës besnik i ish-Kryeministrit./VOA