Veteranët e OVL-UÇK-së shpërndarë ujë për policët, Foto: Shkodrane Dakaj,KALLXO.com

Policia merr masa për protestën e nesërme të veteranëve të UÇK-së

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka marrë masat dhe është përgatitur për protestën e paralajmëruar për ditën e nesërme, nga veteranët e UÇK-së.

Përmes një komunikate për media, Policia ka njoftuar se sot është takuar me përfaqësues të OVL UÇK, me qëllim të njoftimit rreth organizimit të protestës.

“Lidhur me këtë lajmërim PK-ja, ka filluar me kohë përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave që kanë për qëllim mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë për qytetarët, mbrojtjen e pronës dhe ofrimin e sigurisë në trafik”, thuhet në komunikatë.

Tutje, Policia ka thënë se e njeh të drejtën e shprehjes së lirë, pakënaqësive dhe protestës, si e drejtë ligjore.

Sipas Policisë, janë marrë masat e nevojshme preventive, operative policore për të siguarar që mbarëvajtja e protestës të kalojë pa ndonjë incident.

“Sipas procedurave të parapara policia do të merr masa dhe do të shtojë aktivitetet operative para, gjatë dhe pas përfundimit të protestës. Me këtë rast fton të gjithë qytetarët, përfshirë pjesëmarrësit në protestë që protesta të zhvillohet e qetë duke respektuar ligjet e vendit dhe që kërkesat e tyre t’i shpalosin në mënyrë demokratike e ligjore”, thuhet në fund të komunikatës.

Për ditën e nesërme është paralajmëruar protestë nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Klinaku para dy ditëve iu ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta miratojnë projektligjin e pagave, të cilin ai e ka quajtur diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së.

Klinaku kishte paralajmëruar protestë nëse miratohet ky projektligj.

Protesta e fundit e OVL UÇK është mbajtur më 6 qershor para Kuvendit të Kosovës, në të cilën protestë pati përplasje të vogla në mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

Ministi i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë e veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë diskriminuar në vitin 2017 kur ka hyrë në fuqi Ligji i pagave dhe jo tash në projektligjin e ri për rritjen e pagës minimale.

Sipas Muratit, në kohën kur ka hyrë në fuqi Ligji i pagave është bërë fshirja e nenit 18, i cili u ka mundësuar veteranëve përfshirjen në rritjen e pagës minimale tash.

 

OVL UÇK në takim me policinë para protestës së paralajmëruar për nesër