Protesta e veteranëve të UÇK-së (06.06.2022)

OVL UÇK në takim me policinë para protestës së paralajmëruar për nesër

Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së sot janë takuar me Policinë e Kosovës, në lidhje me protestën e paralajmëruar për ditën e nesrmë, nga veteranët e UÇK-së, të cilët po kërkojnë që të përfshihen në Ligjin për paga.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku.

“Ka qenë takim i zakonshëm përpara protestës që e kemi nesër. Policia na ka thirrë, ne kemi pranu edhe jemi taku. Kurgjo tjetër nuk ka pasë aty. Edhe për protestën e kaluar, paraprakisht jemi taku me policinë për me bisedu për protestë”, ka thënë Klinaku për KALLXO.com.

Për ditën e nesërme është paralajmëruar protestë nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Klinaku para dy ditëve iu ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta miratojnë projektligjin e pagave, të cilin ai e ka quajtur diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së.

Klinaku kishte paralajmëruar protestë nëse miratohet ky projektligj.

Protesta e fundit e OVL UÇK është mbajtur më 6 qershor para Kuvendit të Kosovës, në të cilën protestë pati përplasje të vogla në mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

Ministi i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë e veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë diskriminuar në vitin 2017 kur ka hyrë në fuqi Ligji i pagave dhe jo tash në projektligjin e ri për rritjen e pagës minimale.

Sipas Muratit, në kohën kur ka hyrë në fuqi Ligji i pagave është bërë fshirja e nenit 18, i cili u ka mundësuar veteranëve përfshirjen në rritjen e pagës minimale tash.