Ilustrim

Policia jep detaje për therjen me thikë të të miturit në Pejë

Një fëmijë i moshës së mitur është therur sot me thikë nga dy persona të dyshuari

Rasti sipas policisë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Esat Mekuli”, në Pejë.

Sipas policisë, në vendin e ngjarjes njësitet policore kanë gjetur viktimën, i plagosur nga mjeti i mprehtë në këmbën e majtë në pjesën e gjurit.

“Me autoambulancë është dërguar  në emergjencën e Spitalit Rajonal  të Pejës, e pastaj nën përkujdesje mjekësore është dërguar për në QKUK  në Prishtinë për trajtim të mëtejmë.  Sipas mjekëve gjendja shëndetësore e viktimës është stabile dhe viktima është jashtë rrezikut për jetë”, njofton policia.

Në lidhje me këtë rast, policia ka arrestuar dy të mitur, njëri nga të cilët është arrestuar për shkaktim të lëndimit të rëndë, ndërsa tjetri për fshehjen e mjetit me të cilin ishte shkaktuar lëndimi.

Për rastin është informuar prokurori dhe me vendim të tij, personi i parë i dyshuar ndalohet për veprën penale ‘lëndim i rëndë trupor’, ndërsa i dyshuari i dytë për veprën e ‘dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale’ është liruar në procedurë të rregullt.

“Hetuesit janë duke punuar në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, njofton policia.