Policia e Kosovës

Policia jep detaje për therjen e mbrëmshme në Prishtinë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për therjen e një personi që kishte ndodhur dje rreth orës 18:30 në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë.

Sipas Policisë, viktima pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht me thikë nga një person i dyshuar, i cili më pas është arrestuar.

Në raportin 24-orësh është thënë se rasti i iniciuar në këtë ngjarje është “Vrasje në tentativë” dhe se viktima është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, rasti në procedurë hetimore” – ka thënë Policia.

Ngjarja ishte konfirmuar edhe dje për KALLXO.com nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ajo ka treguar se fillimisht Policia kishte pranuar një informatë për një person të lënduar në këtë rrugë.