Ilustrim
Policia jep detaje për tetë raste të dhunës në familje
Policia e Kosovës ka njoftuar për tetë raste të dhunës në familje të cilat janë raportuar në polici.
Sipas policisë, në Prishtinë një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj, pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht.
“Palët janë shoqëruar në stacion dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt” – thuhet në raportin e policisë.
Në Podujevë pas një mosmarrëveshje në familje një person ka sulmuar fizikisht vëllanë e tij.
Palët sipas policisë janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt.
Edhe në Viti policia ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike një gruaje.
“Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje” – thuhet në raport.
Sipas policisë edhe në Shtime ka pasur të arrestuar.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti në vazhdimësi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” – thuhet në raport.
Edhe në Prizren sipas policisë një grua është sulmuar fizikisht nga vëllau i saj.
“Viktima femër kosovare ka raportuar se përderisa ishte duke biseduar me të dyshuarin, vëllain e saj, ai e ka sulmuar fizikisht duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktimës iu është ofruar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar, në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje” – thuhet në njoftim.
Në Pejë është arrestuar një person nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij.
“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje” – është thënë në raportin e policisë.
Për dhunë në familje në Malishevë është identifikuar dhe arrestuar një person i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Kurse në Mitrovicë pas një mosmarrëveshje një person e ka sulmuar fizikisht motrën e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Edhe për këtë rast është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt.