Policia jep detaje për aksionin në disa barnatore në Prishtinë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar, pronarë të barnatoreve, gjatë një aksioni që është zhvilluar nga hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë.

Gjatë këtij aksioni është thënë se deri tani janë numëruar afër 600 produkte të sekuestruara, përderisa numërimi i produkteve të tjera pritet të vazhdojë ende.

“Ekipet policore, inspektorët farmaceutik dhe ekipet nga dogana kanë bërë numërimin e llojit të produkteve të barnave nga ku ka rezultuar se janë sekuestruar 598 lloje të produkteve, kurse sasia e barnave brenda një produkti është më e madhe dhe ka mbetur të numërohen dhe evidentohen nga njësitet përkatëse” – ka thënë Policia.

Në një komunikatë për media e lëshuar nga Policia është thënë se hetuesit fillimisht kishin pranuar informata se disa barnatore në kryeqytet janë duke shitur produkte farmaceutike, barna, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar dhe janë të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Tutje është thënë se sot, polciët në bashkëpunim me inspektorët farmaceutikë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë ndërmarrë veprime në terren, ku janë kontrolluar shtatë barnatore në Prishtinë.

Gjatë kontrollimit thuhet se në dy barnatore është zbuluar sasi e madhe e barnave pa banderola që dyshohet se janë kontrabanduar.

“Këto barna ishin të fshehura në pjesë shtesë të lokalit të rregulluar enkas për fshehjen e tyre, në formë të bunkerit” – është thënë në komunikatën e Policisë.

Policia gjithashtu tha se gjatë këtij operacioni, pas zbulimit të kësaj sasie të barnave, është njoftuar edhe Dogana e Kosovës, zyrtarët e të cilës kanë dalë në teren dhe janë bashkangjitur ekipeve nga institucionet e përfshira në këtë operacion.

Tutje është thënë se dy pronarët e barnatoreve, janë intervistuar në prezencën e avokatit të tyre mbrojtës dhe ndaj tyre janë iniciuar rastet “prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, “kontrabandim i mallrave” dhe “tregtia e ndaluar”.

Dy të arrestuarit është thënë se me aktvendim nga prokuroi janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Aksion i Policisë në disa barnatore në Prishtinë, zbulohen bunkerë me barna, arrestohen dy të dyshuar