Aksion i Policisë në disa barnatore në Prishtinë, zbulohen bunkerë me barna, arrestohen dy të dyshuar

Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike e Policisë së Kosovës sot ka zhvilluar me sukses një operacion në disa barnatore të Prishtinës.

Në këtë operacion janë arrestuar dy persona, të cilët janë dërguar prapa grilave.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka treguar se zyrtarët policorë për hetimin e krimeve ekonomike sot kanë kontrolluar shtatë barnatore, ku në dy prej tyre janë hasur barna pa banderolë, të kontrabanduara dhe në bunkere të fshehta.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka zhvilluar me sukses operacionin kundër kontrabandës së mallrave në Prishtinë, specifikisht produkteve farmaceutike të rrezikshme për jetën e qytetarëve” – ka thënë ministri.

Tutje i pari i MPB-së ka bërë të ditur se e gjithë sasia e barnave të kontrabanduara është konfiskuar.

Sveçla gjithashtu ka përgëzuar zyrtarët policorë të Gjilanit, të cilët sot kanë konfiskuar rreth 3 mijë euro para të falsifikuara e po ashtu kanë arrestuar një të dyshuar në këtë rast.