Policia: Intensiteti i sulmeve ndaj policëve ka rënë, por situata në Banjskë vazhdon të jetë e tensionuar

Policia e Kosovës ka njoftuar se situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar ndonëse intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policor ka rënë.

Njësitet policore gjatë kontrolleve në disa lokacione dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrosit për bllokimin e rrugëve kanë gjetur arsenal armësh.

“Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj”- thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale, në bashkëkoordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, kanë hyrë në objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.