Policia gjatë vitit 2023 arrestoi mbi 11 mijë persona, 12 prej tyre për krime lufte

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Aty, ai ka thënë se situata e sigurisë në vend është e qetë veçse në pjesën veriore mbetet e brishtë.

Policia e Kosovës vetëm gjatë vitit 2023, sipas tij, ka arrestuar 11 mijë e 505 persona.

Sipas Hoxhës, Policia ka menaxhuar mbi 500 protesta në veri, ndërsa ka përmendur sulmet në veri, grabitjen në Suharekë, laboratorët e drogave dhe kriptovalutat.

“Policia e Kosovës rezultatet i ka arritur falë bashkëpunimit me institucione vendore dhe ndërkombëtare. Duke zhvilluar bashkëpunim me qytetarët, Polica ka arritur rezultatet kundër dukurive negative në shoqëri. Gjatë 2023 në Polici janë raportu 48 mijë e 737 raste. Vepra penale janë raportuar 27,238. Disa prej veprave kriminale me të renda gjatë 2023: kemi pas 29 raste të vrasjeve, lëndime të renda trupore 235 raste, lëndime të lehta, vjedhje, vjedhje të renda, grabitje- 93 raste. Ndërsa të dhuna në familje kemi pas ulje, 2460 raste në vitin 2023”, deklaroi Hoxha.

Zbulimi i numrit të përgjithshëm i veprave penale është 67% krahasuar me vitin 2022, me ç’rast është treguar rritje prej 2%, sipas Policisë.

Gjatë 2023 janë hartuar 78 urdhra operativë nga Policia e Kosovës.

“Aksidente me fatalitet janë regjistruar 96 në vitin 2023.  Ndërsa numri i personave të vdekur 106. Aksidente me lëndime, 8764. Kemi pas rënie të aksidenteve me fatalitet që po pëson rënie çdo vit. Kjo si shkak edhe i policisë, edhe institucioneve tjera, ndërtimit te rrugëve e të tjera”, deklaroi Hoxha në Komision.

Gazmend Hoxha thotë se gjatë vitit 2023 u arrestuan 12 persona për krime lufte.

“Krimi organizuar, krimet e renda, krimet ekonomike, korrupsioni e terrorizmi. Gjatë 2023, Policia e Kosovës ka kryer shumë aktivitete. Janë realizu 323 operacione, janë bastis e kontrollu 881 lokale, janë arrestuar 1403 persona të dyshuar për vepra të rënda penale. Janë paraqitur 1094 kallëzime penale. Janë goditur 23 grupe kriminale”, deklaroi Hoxha.