Policia flet për dorëheqjen e drejtoreshës e Prokurimit

KALLXO.com mëngjesin e sotëm ka raportuar se drejtoresha e Prokurimit në Policinë e Kosovës, Vjollca Balaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i saj.

Para pak minutave Policia e Kosovës ka njoftuar se zyrtarja e Policisë së Kosovës, Vjollca Balaj, ka qenë duke shërbyer në kuadër të Departamentit për Shërbime Mbështetëse, në pozitën u. d. drejtor i Drejtorisë së Prokurimit, efektive deri më 10 nëntor 2020, mirëpo e njëjta ka ofruar dorëheqje vullnetare më 9 nëntor 2020, një ditë para se t’i mbarojë data efektive e pozitës.

“Zyrtarja në fjalë, në dorëheqjen e ofruar ka potencuar disa dyshime të ngritura nga ana e saj mbi disa parregullsi të cilat ia ka adresuar më parë menaxhmentit të lartë (të mëparshëm) të PK-së dhe disa dyshime, sipas saj, për parregullsi në sistemin PRIMS të PK- së, përfshirë edhe disa adresime të vazhdueshme ndaj mbikëqyrësit të saj”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës përmes zyrtarëve kompetentë ka trajtuar shqetësimet e ngritura për dyshimet e keqpërdorimit të sistemit PRIMS dhe nga të njëjtit, përfshirë menaxherin e projektit, ka rezultuar se nuk ka ndonjë keqpërdorim apo ndonjë qasje të paautorizuar në këtë sistem.

“Vlen të potencohet se tani u. d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z.Samedin Mehmeti, në momentin e pranimit të informacioneve zyrtare me datën (04.11.2020) për të gjitha dyshimet e ngritura nga ana e zyrtares në fjalë, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme ligjore, duke e trajtuar dhe adresuar në mënyrë zyrtare shkresën edhe tek Inspektorati Policor i Kosovës, për trajtim dhe kompetencë të mëtejme”, njofton policia.

Policia tutje ka bërë të ditur se u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, do të vazhdojë bashkëpunimin me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe të gjitha institucionet kompetente për trajtimin dhe hetimin e këtij rasti dhe të gjitha rasteve, kur ngrihen dyshime për keqpërdorime të mundshme.