Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Dyshime se dokumente të policisë janë zhdukur, jep dorëheqje Drejtoresha e Prokurimit në Polici

Drejtoresha e Prokurimit, Vjollca Balaj ka dhënë dorëheqje nga posti i saj brenda Policisë së Kosovës.

Balaj ka dhënë dorëheqje ditët e fundit ndërsa ende nuk janë bërë publike arsyet e dorëheqjes.

KALLXO.com mëson se e njëjta ka dhënë dorëheqje pas nisjes se hetimeve lidhur me dyshimet se disa dokumente te prokurimit janë fshirë nga sistemi i brendshëm elektronik i Policisë së Kosovës, PRIMS.

Balaj kishte ofruar dorëheqjen e saj te u.d i Drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti këtë të hënë.

KALLXO.com, ka tentuar të marrë një përgjigje nga vet Balaj në lidhje me dorëheqjen e saj por e njëjta nuk ka qenë e qasshme në telefon.

Gjithashtu KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Policisë së Kosovës, por edhe këta të fundit kanë qenë të pa qasshëm në dhënie të informacioneve për këtë rast.